E Martë 17 Jan 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Shtyp

ROZI (ÇEKU) THEOHARI

Shkruar nga Adriana Stefani on 05 Prill 2015. Posted in Arshiva

U linda në 9 prill të vitit 1939, në Dardhë të rrethit Korçë, një fshat me vlera të gjithanshme: natyrore, atdhetare, morale e njerëzore. Ashtu siç dihet, është pjesë e bukur e Atdheut tonë, me tradita të njohura kulturore, qytetërimi e fisnikërie, të lidhura brez pas brezi edhe me plagën e dhimbshme të kurbetit,


 si pjesë e pandarë e jetës së dardharëve. Hodha hapat e parë në tokën e robëruar  nga fashistët italianë; u mëkëmba e u rrita nën kujdesin dhe dashurinë e nënës e të gjyshes, sepse babai e gjyshi kishin emigruar në

Amerikë, së toku me burrat e djemtë e fshatit.

Si të thuash, ne ishim “fëmijët e luftës”…Duke u rritur, belbëzuam fjalët e para, nën frikën e vazhdueshme të plumbave,  bombardimeve dhe kambanave e sirenave të alarmit, me ikëpyetjen e madhe mbi kokë:

“Vallë, a do të na gjejë gjallë e nesërmja?” Megjithatë, ne mbijetuam…U rritëm e u edukuam nga nënat e gjyshet, nga përrallat që na tregonin e nga këngët popullore dardhare, që na këndonin. Njëra nga ato i kushtohej plagës së dhimbshme të kurbetit:  “Ameriqi, o moj e shkretë, Ameriqi,/të raftë zjarri e të bëftë hi!...”. Bashkë me ceremonitë festive tradicionale,  ajo kohë la vragë të thella në kujtesën dhe vetëdijen time. Shkollën fillore e kreva në vendlindje, më 1949. Na mungonin abetaret, fletoret dhe librat e tjerë. Mësuesi na diktonte mësimet.

Më tej, 7-vjeçaren e përfundova në qytetin e Korçës, në vitin 1952. Ai qytet i bukur dhe plot tradita, luajti rol të ndjeshëm për zgjerimin e horizontit tim mendor dhe kulturor. Pamja dhe institucionet e tij, pa i përmendur këtu, ndikuan fuqishëm në shkrimet e mia të mëvonshme. Dy vitet e para të shkollës së mesme i kreva aty, në Gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, kurse dy vitet e tjera në Tiranë, në Gjimnazin “Qemal Stafa”, më 1956.  Mësuesit tanë të letërsisë, Mark Gurakuqi e prof. Nasho Jorgaqi, na edukuan me dashurinë për librin dhe na nxitën për të shkruar prozat dhe vjershat e para. 

 Ne, brezin që u rrit pas Luftës së Dytë Botërore, na ndoqi një fat i vështirë, duke provuar jo vetëm varfërinë sfilitëse, por edhe vuajtjen nga presioni psikologjik e fizik i regjimit të kuq. Pa u ndalur gjatë këtu, kam përjetuar kufizime të ndryshme për shkak të “biografisë së keqe”, për  babain tim  “kapitalist”, pse kishte një restorant në qytetin amerikan, Detroit.

Prej vitit 1956 e deri 1960 ndoqa e përfundova Fakultetin Ekonomik dhe prej vitit 1972 e  deri më 1974, mbarova me korrespondencë degën e gjuhës e letërsisë shqipe, në Universitetin e Tiranës. Më pas, kam shërbyer në institucione të ndryshme të kryeqytetit. Po, për t’u shënuar është koha, kur isha redaktore e revistës “Shëndeti”.

Ngjarje kthese e jetës  ishte viti 1994, kur edhe unë emigrova në Amerikë, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Në vitet 1995-2000, kreva studimet në “North Shore Community College”, të Massaçusetts, ku u diplomova  në degën “Artet Liberale”. 

75 Vjetori i ditëlindjes së Rozit në familjen e vëllait të saj Kiço Çeku, 9 Prill, 2014

Kiço Çeku në Dhjetor 18, 2014 në Kishën e Shën Gjergjit , South Boston, MA

Shumë e dashur Rozi!

Me hidhërim e dhimbje të thellë, ne, fëmijet e tu, vëllezërit dhe motra jote, gjithë familja jonë, po të përcjellim për në banesën e fundit. Ishe motra më e vogël dhe e prishe rradhen. U linde në periudhe luftrash, 9 Prill 1939, dhe fëminia jote u gatua me peripecitë e kësaj lufte. Të kishim si një lodër midis nesh në periudha të vështira dhe ditë gëzimesh, sepse ishe e bukur dhe lozonjare, dhe ne mburreshim me ty. U rrite dhe u brumose me natyrën e bukur, festat, gëzimet, hidhërimet të gjitha së bashku, të familjes Dardhare.

Që në moshë shumë të re spikaten virtytet më të larta të gruas Dardhare: e fortë, optimiste, vetëmohuese, e dashur me të gjithë; me një buzëqeshje të lehtë fshihnje në brendi momentet e hidhërimit.

Mbarove Fakultetin Ekonomik dhe dolle në jetë. Por kjo nuk qe ajo që kërkonte zemra jote. Ti nuk ishe asnjëherë tregtare. Talenti jot ishte gjetkë, dhe ti me forcën dhe shpirtin tënd të madh, nënë me dy fëmijë, me probleme në shtëpi dhe punë, mbarove shkëlqyeshëm Fakultetin e Gjuhë-letërsise, ku hape faqet e talentit tënt si shkrimtare. Shkrove në shumë gjini, skica humoristike, reportazhe, novela.

Në njëzetvjeçarin e fundit në kurbet krijove vepra dinjitoze me karakter patriotik-historik, duke trajtuar problemet e diasporës

shqiptare në Amerikë, dhe e mbylle këtë aktivitet me veprën voluminoze të zemrës tënde “Potpuri Dardhare”.

            Forca e vullnetit tënd ishte e jashtëzakonshme. Ardhja jote në Amerikë ishte ëndra jote më e madhe, ëndra e baballareve tanë të cilët në moshë të re morën rrugët e kurbetit.

Ti u ambjentove në mënyrë të habitshme me jetën e re,

jetën e kolonisë shqipëtare në Amerikë. Brënda një kohe të shkurtër, ndonëse në moshë jo të re perfeksionove gjuhën angleze dhe u diplomove në disa disiplina në kolegjin e Linit. Në mënyrë të rrufeshme, që ditët e para u lidhe me redaksinë e gazetes “Iliria”, si dhe me të gjithë organizatat letraro-shoqërore që vepronin në Masachussets dhe në shtete të tjera fqinj.

            Ishe e papërtueshme, në mënyrë të habitshme krijoje lidhje me familje patriotike si ajo e e Vaso Panit, me bizesmenë të zotë si Andon Athanasi, me emigrantë të rinj që kishin çarë rrugën për një kohë të shkurtër në zanatet e tyre, në art, kulturë etj.

Gjatë njëzet vjetëve në Amerikë përdore si tribunë gazetën Iliyria ku ngrije në qiell forcën krijuese të atdhetarëve tanë që u a kalonin dhe shumë vendalinjëve këtu në Amerikë. Ti i deshe shumë atdhetarët tanë, Rozi, ti u kushtonje kohë të gjatë sukseseve të tyre dhe gëzoheshe bashkë me ta. E papërtuar në çdo moment gjeje kohë për të gjithë, nuk linje një ditë pushimi për vehten tënde.

            E diela ishte dita e kishës për ty. Zëri yt i bukur dhe i ëmbël kumbonte pothuaj në të gjitha kishat e veriut të Bostonit. Nga kisha e Nahantit, Linit dhe komunitetit ku ti jetoje. U bëre soliste dhe mësove notat muzikore. Ishe shumë krenare për aftësitë e reja muzikore që mësove vonë në jetë.

            Dashuria e madhe që kishe për bashkatdhetarët dhe shkrimet e panumurta të realizuara për një periudhe njëzetvjeçare të bënë të njojtur në gjithë diasporën shqipëtare të Massachuseetsit, si dhe në vëndet fqinj. Ti u bëre Rozi e të gjithëve, Rozi e buzëqeshur gjithmonë, e pamërzitur asnjëherë. I kushtove një pjesë të jetës sënde këtyre njerëzve. Gëzoheshe bashkë me ta.

            Rozi, ti ishe njeriu më i dashur i familjes sonë. Të kishim si idhull në mesin tonë; ti na jepje kurajon e jetës në mërgim; nuk mund të bënim asnjë festë familjare pa patur zërin tënd midis nesh. Këndonim të gjithë së bashku këngët më të bukura të Dardhës dhe të vëndit tonë.

            Shkruajte në gjuhë angleze, legjendën e kalase së Shkodrës, të kalasë së Rozafatit.

Solle dorën e Rozafes këtu në Amerikë, për t’u treguar vëndasve forcën e madhe shpirtërore të vetëmohimit, të flijimit të gruas shqipëtare, e cila fal jetën për interesat e familjes së saj për interesat e shoqërisë.

            Veprat e tua letrare kanë karakter të thellë shoqëror, ato janë pjella e zëmrës tëndë. Ti habite gjithë rrethet letrate të komunitetit kur botove në anglisht shkrimin e shkurtër për jetën e nënës sonë. Ky jetëshkrim përfaqëson jetën e gjithë nënave dardhare, të vajzave dardhare që me burrat e tyre në kurbet, me rruge të mbyllura gati gjysmë shekulli, pa ndihma të jashtme ekonomike, kanë përballuar jetën familjare: vetë burra, vetë gra.

            Gruaja dardhare e mësuar me plagët e kurbetit ka mbijetuar në shekuj, e mbrujtur me vetitë më të larta njerëzore: e dashur, e guximshme, e ndershme, mikpritëse dhe shumë-shumë të tjera.

Ajo nuk ka hequr asnjëhere litarkën nga supet dhe me djersën e saj me sakrifica të panumurta ka shpëtuar familjen dhe fëmijët. Këto cilësi të larta të gruas dardhare i ke trashëguar dhe ti, motra ime Rozi, por të ngritura në një stad akoma me të lartë.

            Në librin “Mbi flokët e bardha fryn erë” more duart e mia si foto kopertinë. Mbi to më vure një fidan të rrenjëzuar, me kuptimin që dhe flokët e bardhë mund të rrënjëzojnë në kurbet. Ti ishe shumë e gëzuar, se kishe gjetur material të bollshem për këtë qëllim. Kishe gjetur shembuj nga shumë të moshuar që ishin ambientuar dhe kishin bërë prokopi. Për dardharin e mëparshem ishte ndryshe. Shkoi në mergim i ri, punoi tërë jetën aty dhe kur iu zbardhën flokët u kthye në Dardhë pranë familjes të kalonte ditet e fundit të pleqërisë. Ne, flokët e bardhë të dardharëve, na rrëmbeu gabimisht eksodi. Erdhëm në një kohë kur të parët tanë ktheheshin në atdhe. Natyrisht trupat tonë, flokët tonë, i fryn era e oqeanit, jemi pranë fëmijëvë tanë, por rrënjët tona janë shumë të forta dhe mbeten të lidhura fort pranë truallit amnor, pranë Shën Thanasit; e pranë tyre po mbijnë filiza të tjerë që po e kthejnë Dardhën në një qytezë të bukur, ku po rindërtohet jeta në standartet evropiane.

            E në këto momente veprat e tua Rozi zunë vendin kryesor në muzeumin e sapo krijuar të Dardhës, me në krye veprën tëndë të fundit “Potpuri dardhare”, këtë vepër të bukur të zemrës sate, që po rrëmben zëmrat e gjithë bashkëfshatarëve tanë.

Kjo potpuri është një simfoni e çmadhe e fëmijërise dhe rinisë, një simfoni e pambaruar që ngazëllen shpirtin e njeriut në një vals me natyrën e bukur dardhnore.

            Dardha e gjitha është një familje e madhe, të gjithë këndojnë nëpër piknike së bashku, me gra e me burra, me pleq e me fëmijë. E kjo potpuri dardhare, motra e ime e vogël, të rrëmbeu ty bashkë me kujtimet e vogelisë dhe të rinisë e po fluturon tutje.

 Të gjithë duan ta rrëmbejnë, mbi kopertinën rinia jote me kostumin dardhar, kostumin kombëtar kuq e zi, flamurin shqipëtar.

Shpirti yt do të fluturojë pa pushim bashkë me potpurinë dardhare e do mbetesh e paharruar në zemrat e njerëzve. Ti je Rozi jonë njeriu më i shtrenjtë i familjes, njeriu më i mirë, njeriu më i dlirë. Ti je Rozi e të gjithëve, të gjithë po të percjellim me lot në sy. Ti lë pas veprën tënde madhështore, që do jetojë përjetë. Lamtumirë, e dlira Rozi.

Do të na mungosh për jetë. Vëllai yt, Kiço Çeku.

 

Falenderoj nga zemra Katerina Çeku Nenshatin që më ndihmoi duke më dërguar disa materiale si dhe videon të cilën e kishin ruajtur nga ditëlindja e fundit e 75 Vjetorit të Rozit. Gjithashtu falenderoj Dr. Eleni Millonen për dhuratën e CD me këngët e kënduara nga Rozi në 2006.

Një album të pasur, me titullin në 76 Vjetorin e Rozi Çeku Theoharit, do ta gjeni në Fotogaleri dhe videon në Videogaleri. Falenderoj babain Niko Stefani për fotografitë që gjeta në arkivin e tij dhe gjithë bashkëatdhetarët shqiptarë e amerikanë për shumë postime letrare e komente të tyre kushtuar Rozit dhe veprës së saj të gjithëanëshme e të pavdekshme.

Adriana Stefani Kuruni e përgatiti për Rozi Çeku Theoharin në Prill 2015.