E Enjëte 25 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me

TOPIC: Vangjush Ziko

Vangjush Ziko 5 years 1 month ago #35

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
GRAZHDI

Ai nuk pati
as djep as shtrat.
Mbi kasht' e vunë
në atë grazhd.

Lopët,gamilet
që rrotull rrinin,
Me gjuhë kafshësh
Atë lëpinin.

Dhelat e tyre
Ai s' harron.
Nga qiejtë lart
grazhdin vështron.

Kafshë dhe njerëz
porsi dikur.
Ajo shkretirë.
Ai ahur.

Kryqin
ku shpirtin e tij e dha
derdhur e kanë
në bronx e ar.

Me gjakn' e Tij
kungatën pijnë.
Përpara korës
ndezin qirinë.

Të Tijat fjalë
psallme i thurrin.
Ndritin e mbushin
me 'to ahurin,
Ku kafsh' e njerëz
bashkë flenë...

Një lot i shket
dhe mbush Mesdhenë.


PRAGVITESH

Lamtumirë!
Mirë se vjen!
Dy urime
në një sergjen.

Dhe stina ime
ndarë më dysh.
Një lule tharë
edhe një syth.
Një e përcjell
dhe një e pres.
Të dyja jetët
i përshëndes.

Në një verigë
dy dashuri.
Vendi ku linda.
Vendi ku rri.
Dy ajmali
në timin gji.

Në mes dy pragjesh
ylber' i vjershës
Ku ec veç Muza
si hyjneshë
dhe e gëzimeve
dhe e derteve.
Dashnor' e shenjtë
i Poetëve.
Last Edit: 5 years 1 month ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Vangjush Ziko 5 years 1 month ago #36

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Kujtesa ime

Kujtesa ime është një djep i drunjtë,
Përrall' e gjyshes me rudha mençurie.
Mëngjesi im erë barut e luftë,
Rinia një fanfarë çmendurie.
Lule e parë në saksi të zemrës,
Thinj' e parë si dëbora e papritur.
Balldi e mjaltit të martesës,
Tensioni dhe artriti i thinjur.
Një mal i lartë, berjoza dhe një panjë
I bëjnë hije jetës sime endacake.
Një emër i shkruar në mermer të pllakës,
Poezitë e mia mbi të zambakë.


PESHORJA

Sa zor që ta matësh vetveten.
Sa zor kjo peshore të gjendet.

Sa zor që të gjesh një pasqyrë
Të mos shformësojë fytyrën.

Narcisin e mbyti vetvetja.
Makbethin e gjakut etja.

Salieri helmoi Moxartin
Për ëndrrën e artë të artit.

Eh,ne të mjerët ç' kërkojmë,
Pse veten dot s' e peshojmë?!

Në botë sa qenka vështirë
Të jesh artist e njeri i mirë!


ARTI I JETËS

Në jetën tonë që ngjan me luftën,
Vetes i themi luftëtarë.
Me armët tona: britma dhe lutje
O fitojmë. O hiqemi zvarrë.

Të fitosh, do të thotë luftë
Mes jetës dhe vetvetes.
Të jetosh, do të thotë të lutesh
Për paqen e jetës me vdekjen.
Last Edit: 5 years 1 month ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Vangjush Ziko 5 years 1 month ago #37

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
ANKANDI

Nxora në ankand shtëpinë.
Pres blerësit.
Shes fëmininë
dhe pleqërinë
njëherazi.

Gurët e rëndë,
vitet e mia.
Dritaret e qelqta,
kujtimet.
Strehët
u bëjnë hije mundimevet.
Trëndafilat
lot vese pikojnë
mbi sofatin pas avllisë.

Shkruajn' epitafin e shtëpisë
dhe timin
Me hieroglifet e mërgimit.

SAHARA

Klesidër,
mbyllur mes dy qelqesh,
mes oqeanesh
edhe detesh.

Rëra jote
rrjedh mes dy konesh
Kohë moderne
dhe faraonësh.
Dy piramida
një kulm të vetëm
Një kon mat vdekjen,
tjetri jetën.

Oazet,
lotët e tu të brengës.
Last Edit: 5 years 1 month ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Vangjush Ziko 5 years 1 month ago #38

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Tri Balada

Mësonjëtorja e luftëtarit

Çudi!
Gjithnjë bëj çudi!

Kjo penë, hosten.
Ky kallamar, qyp.
Ky radhua, mermer.
Këto shkronja si emër i përvetshëm në shtyp,
kapitale.

Luftëtari Kombëtar
le piedestalë.

çdo natë me hënë
zbret,
Mëson ABC-në.


VJESHTA E MIOS

U ngjyen gjethet përsëri.

Të verdha.
Të kuqëremta.
Të bronxta.

Nga Morava
gjer poshtë
bulevardet dhe parqet
digjen qiri.

Çdo vjeshtë
zgjohet Ai
Ndez llullën.
Ngjyen penelin
në paletën
e verdhë të tij.

Kodër më kodër
pikturon
magjinë e Korçës.


SERANATA E HËNËS KORARE

Hëna
perëndesha e natës
ndalon një çast
buzë Çardhakut,
mbi korijet e blerta të ahut,
mbi brirët e artë
të Gurit Cap.

Një kitarë
në një sofat
i këndon serenatë
sozisë
së saj.
Last Edit: 5 years 1 month ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Vangjush Ziko 5 years 1 month ago #39

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
DASHURITË E PARA TË QYTETIT TIM

Mbi tavolinë kam tre libra me vjersha: "Shkëndijat"(1927) të Kristo Floqit, "Dëshira e zemrës" të Spiridon Ilos dhe "Kënga popullore shqiptare"(1932) botuar nga Linda George.
Tematika e tyre është e larmishme: patriotike,lirika të natyrës,satirike dhe lirika erotike.Spiridon Ilo,në prathënien e botimit të vet,shkruan:"Në këtë libër janë gjithë këngët që kemi kënduar në pllakat e kompanyve,më të mirat,si në "Columbia" dhe në "Victor" dhe kështu,pra,me botimin e kësaj libre të këtyre këngëve të përmbledhura mbush një dëshirë të Atdhetarëve". Kurse Kristo Floqi,duke iu drejtuar "këndonjësve",shkruan:"Shumë prej këtyre këngëve u bënë popullore e këndohen sot në qytetet dhe katundet e Shqipërisë".

Në krijimet e këtyre vëllimeve të bije në sy një gjë shumë e veçantë.
Shumica e teksteve të këngëve të botuara në vëllimet e mësipërme janë vjersha patriotike.Në to këndohet dashuria dhe malli për mëmën,për Shqipërinë.Në to nuk zihet fare në gojë vajza,e dashura,sikur të mos kish pasur ekzistuar fare ndjenja e dashurisë intime në ato kohë!
Ç'është kjo?Druajtje,harresë,turp.mospërfillje?A mos ndjenja e dashurisë e pengonte dhe e zbehte ndjenjën patriotike?Motoja e këtyre këngëve është: "se s'ka më t'ëmbël në këtë jetë/kur vdes shqiptari për Shqipëri'.
Ku e kishte burimin kjo tabu?
Këta luftëtarë që vdisnin të lumtur për lirinë e mëmëdheut,nuk dashuronin,nuk ishin të martuar?
Kë mbronin këta me gjakun e tyre,një dhe' të shkretë,pa njerëz të dashur të zemrës,pa vatër familjare,pa afeksione shpirtërore intime?
E pamundur!
Shqipëria ishte për ta dhe familja,dhe gruaja,dhe e dashura e zemrës së tyre.Mentaliteti,shkalla e emancipimit shpirtëror i bënte ata ta përmblidhnin dashurinë intime në dashurinë e përbashkët,që kishte vetëm fytyrën e Shqipërisë,të mëmës.
Por,në këto vëllime,siç e thashë dhe më lart,kemi dhe vjersha të tjera,tekste këngësh që i këndojnë vetëm dashurisë intime,erotike.Pra,kemi një ndarje të prerë tematike,vjersha patriotike dhe vjersha erotike.Ishte tabu.Mëdheut dhe dashurisë u këndoheshin veças.Është,gjithashtu,e padiskutueshme,që vjershat patriotike të këtyre këngëve janë më të vjetra se ato erotike.
Në "Këngë lufte"(anonime) shkruhet:"Se për lirinë të mëmëdheut tim/Edhe të gushës shkrim e këndim,Për kto të dyja po luftonj/Gjersa të dyja do t'i fitonj!/Këto të dyja po mos fitonj,/Mua ç' më lypset më që të rronj!"

E qartë.
Të drejtat dhe liritë e njeriut kanë përshkallëzimin e tyre historik.Njeriu në fillim ka dëshiruar pavarësinë e tij sa më të madhe nga natyra,pastaj nga skllavëria sh e individit në fushën intime,shpirtërore.
Heroi lirik i këtyre këngëve patriotike nuk njeh asgjë tjetër veç lirisë,mëmëdheut dhe nënës.Kurse e dashura e zemrës,bota intime shpirtërore sfumohet tërësisht.
Që të bashkoje mëmëdhenë dhe vajzën e dashur në një këngë,duhej guxim dhe moral qytetar i ri.
Këtë e bëjnë të parët kantautorët korçarë në këto këngë që në fillim të shekullit të kaluar edhe më parë..
E bën Thoma Avrami në kënga "Dëshirë e mëmëdheut".
"Dua lulet e fushës/në mëngjes kur janë me vesë/Duart e bardha të çupësë/që vete me vrap t' i presë.../Po nga të gjitha ato më parë/Dua më shumë Shqipërinë..."
Tabuja prishet,zhbëhet.Erotika bashkohet me patriotizmin,Kjo është një risi shpirtërore dhe artistike.

Në folklorin qytetar korçar fillonte kështu një revolucion shpirtëror,në të shpalosej hapur dimensioni human erotik.Kjo lidhej me përmasat e reja që kishte fituar jeta qytetare korçare,me shkallën e emancipimit të saj.Dashuria nuk ishte më një "mollë e ndaluar".
Dashuria do gëzuar,këndon poeti Loni Llogori në këngën "Çelu,çelu",ajo nuk do lënë të shkojë kot.Dashuria në këtë këngë shpallet si kredo e jetës "pa ty,ah!s" mund ta dëgjoj bilbilë",ajo është vesa e jetës,siç është vesa për luletë,shpirti i dashuruar i heroit lirik e shpall dashurinë botërisht.
Në këngën anonime "Trëndafil i bukur shumë" shpaloset një mesazh tjetër filozofik"pa dashuri bota është errësirë".Spiridon Ilo në vjershën "E bukur era" na shpall se jeta në botë është veç një lidhje e ëmbël dashurie.Kurse në këngën tjetër të po këtij autori ("Lutje të dashurisë") kemi një klithmë shpirtërore.Autori i këndon një dashurie që ngjall përgjërim,që shkakton plagë të zemrës,që është e gatshme për të sakrifikuar dhe jetën,sepse jeta nuk ka kuptim pa vashën e dashuruar.
Dhimitër N. Mole në këngën re tij "Lule e bukur porsi dielli" shpalos botëkuptimin e vet që qëndron në themel të moralit të rinisë të kohës së tij.Ai shpall se bukuria mbi dhe' është një krijesë e Perëndisë,se asgjë në botë,as bukuria, nuk ka lindur verbërisht dhe pa një pikësynim,bukuria e fisnikëron njerinë.Duke vlerësuar bukurinë e krijuar nga Zoti,njeriu bëhet më i urtë,më i ditur.Ky moral sjell me vete dhe etikën e sjelljes së njeriut ndaj bukurisë dhe ndjenjës së dashurisë.
Këtij botëkuptimi i bashkëngjitet dhe kredoja tjetër se dashuria u bindet ligjeve të jetës,të botës që e rrethon ,çel lulëzon,vyshket,lind dhe vdes,pra "gëzo dashurinë!"("Tango e trëndafilave").
Mihal Grameno në "Vesa" dhe "Muaji i mjaltit" shpreh hapur përgjërimin e heroit lirik për dashurinë,pasionin e vet për dashurinë,kujtimet nostalgjike të ditëve të dashurisë,të përqafimeve,të puthjeve dhe përbetimeve reciproke për dashurinë e për jetën.
Mallin e ndarjes,kujtimin e ditëve të bukura të dashurisë,shpresa për t"u takuar përsëri,një dashuri gjer në buzë të varrit këndon Spiridon Iloja në këngën "Sa bukur rronim" ("gjersa të vinjë ora e mirë/që të të shoh/pa le të vdes" ).
Kole Rodhja i këndon takimit të përzemërt real të dashurisë.Djali pret vajzën në një mbrëmje me hënë,në një idil të qetë, "u afrova pranë teje/dhe me dorë të trazonj./Shtiu syçkat,më shikonte/nënëqesha me gëzim"( "Nënë hien e hënës").
Edhe kur dashuria nuk gjen përgjigje,nuk ngjall aspak zemërim,përkundrazi,ngjall butësi njerëzore,që nuk e egërson mospërfillja e vajzës.( Taqi Mborja "Hënës").
Llambi Bimbli i këndon dashurisë çapkëne të "kusarit" të dashurisë,që nuk pyet edhe në se e kapin dhe e dënojnë,sepse ai do të vdesë i lumturuar nga dashuria ("Sytë e tu").
Loni Llogori në "Dashuria është djallush",na këndon në shqip një himn të dashurisë që pushton zemrat e të rinjve kur "vajyat e bukura,faqepaputhura/andej këtej kërkojnë djemtë".
Notat humoristike në kënga anonime "Të mori ky Pali-", flasin për emancipimin e ndjenjës së dashurisë,aq më tepër,kur në gojën e vajzës vihen vargjet "jam,s'jam e mirë/dhe në jam e mirë/sheqer për bandillë".
Loni Llogori në "Drenovarja" shpalos një dialog dashurie mes djalit dhe vajzës,dialog intim i sinqertë,shprehje e hapur dhe pa drojtje e dashurisë drejpërdrejt nga djali ndaj vajzës.Por dashuria ka dhe shkallët e saj të moralit e të etikës së kohës."Në më do me nder si trim/Tek im atë aj të vesh/Më kërko dhe të më kesh...". Dashuria përfundon me martesën në marrëveshje me prindërit,martesa lumturohet me gazin që sjellin fëmija.Një "roman" në vargje i një dashurie të kohës së vet!
Në këngë të ndryshme ("Kremi leshkat","O moj korçare e bukur","Perëndeshë e bukuris,"O moj ti me sytë e zinj") jepet në mënyrë lirike dhe piktoreske bukuria e vajzës korçare të emancipuar,që i pëlqen t' i këndojnë serenata,që del e stolisur bulevardit duke ndezur botën me bukurinë dhe nazet e saj...

Këto ishin dashuritë e para të qytetit tim,të kënduara në këngë dhe të botuara në tre librat që përmenda në fillim të këtij shkrimi.Ato janë dashuritë e një epoke më shumë se një shekull më parë,dashuritë e atyre brezave,që guxuan të parët t' i këndojnë botërisht dashurisë.Brezave të rinj të shekullit tonë ato u duken të vjetëruara,romantike dhe,shpesh,platonike.
Sido që të jetë,ato mbeten dashuritë e para të publikuara të qytetit tim.Ato janë të veshura me magjinë e tyre të pavdekshme.Vetë fakti që këto këngë për këto dashuri këndohen dhe pëlqehen edhe sot,jo vetëm në qytetin e Korçës,tregon se ato janë ngritur në nivelin e një dëshmie autentike artistike dhe hedonistike të padiskutueshme,që dëshmon për shkallën e emancipimit të një komuniteti të tërë,ato janë bërë pjesë e kulturës,moralit,etikës,traditës kolektive korçare.Ato të bëjnë për vete me thjeshtësinë,sinqeritetin dhe pastërtinë e ndjenjës,me humanizmin e tyre,me guximin e shpalosjes së universit më intim të individit shoqëror.

Dhe me të vërtetë!
Në atë kohë kur në Korçë këndoheshin këto këngë erotike në rrugë,në dasma e gostira,Haki Stërmilli shkruante romanin mbi jetën tragjike të vajzës shqiptare me emrin Dija,së cilës s'i kishte mbetur asnjë rrugëdalje dhe shpresë,veç të klithte,duke rënkuar,"Sikur të isha djalë!" Kurse Migjeni shkruante novelën omonime "Të çelen akrapiat".Vajza korçare këndonte,"jam,s' jam e mirë/dhe në jam e mirë/sheqer për bandillë".
Këto këngë mbeten një manifest shpirtëror i një rinie të emancipuar brenda moralit dhe etikës më të përparuar të kohës së vet.
Është e vërtetë se jo të gjitha këto vjersha apo këngë janë origjinale.Një pjesë e tyre janë përkthime ose përshtatje.Por kjo nuk e cënon aspak vlerën e tyre historiko-shoqërore dhe estetike.
Këta krijuesa ditën të qëmtojnë dhe të marrin nga krijimtaria e vendeve që i rrethojnë,më të përparuarën e më të bukurën.Këtë e bënë jo për snobizëm.Kjo ishte një kërkesë e tyre shpirtërore dhe e rrethit shoqëror ku ata jetonin.Kjo ishte një imperativë e kohës.Këtë ushqim shpirtëror e kërkonte brezi i tyre.
Këto krijime u bënë një armë efikase për të luftuar mentalitetin e vjetëruar e për të kultivuar një mendësi të re për jetën dhe për dashurinë,një moral dhe një etikë të re,të përparuar. Këto krijime e merituan popullaritetin dhe adhurimin jo vetëm të brezit të tyre.
Këta krijuesa mbeten kantautorët e parë të dashurive të qytetit tim,të Korçës së serenatave.Dhe,jo vetëm të Korçës.

Klubi "BOTA e RE"
Last Edit: 5 years 1 month ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Vangjush Ziko 5 years 1 month ago #40

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
POETI,MEKATI DHE DASHURIA



Fjala "mekat" eshte fjala me e anatemuar ne Librin e Shenjte.Adami dhe Eva bene mekatin e pare biblik,mekat i cili i zboi ata nga parajsa dhe na beri edhe neve trashegimtare te ferrit tokesor.Njerezimi,njeriu i thjeshte apo shoqeria njerezore,ka mekatuar ne rrjedhen e koherave dhe ose eshte perpjekur ta fshehe mekatin,ose i eshte lutur Perendise qe t'ia fale. Poetet,ne pergjithesi,e kane shpallur sheshit duke i kenduar mekatit pa pasur ndroje dhe frike nga asgje. Paradoksale!



Ne permbledhjen e zgjedhur "Digjen meteore" te poetit Skender Rusi,te perpiluar me kujdes dhe me dashamiresi nga poeti i mirenjohur dhe studjuesi i apasionuar dr. Moikom Zeqo,jane perfshire mbi tridhjete poezi qe i kendojne "mekatit".Fjala eshte per "mekatin e mishit". Ky mekat eshte bir apo bije e pasionit njerezor.Eshte trill apo fiksion,nje provokim i natyres njerezore qe lakmon ate qe nuk e ka dhe i pelqen ta kete te tijen,qofte dhe per nje cast te vetem.

Per poetin Skender Rusi,ky mekat vjen si nje trill i moshes se thinjave,qe kerkon te kompesoje deficitet e paplotesuara te rinise ("Teper vone","Ne ate mbremje studentesh") kur njeriu e ndjen veten "nje diell te perenduar" qe i duket se nuk ka per te rilindur me ("Mekatar pa faj") dhe keron te jete ndopak i cmendur ne kete bote te trishtuar ("Ne kete bote te trishte","Shtepia e brengave").Mekati per te eshte nje "rrebesh ndjenjash",qe vjen rralle,por te ben te mekatosh,te ndrosh shtrat ("Lumenjte")... Ky "mekat" eshte dy llojesh:"i shenjte" dhe "zgjedhje fatale".Shenjteria e te parit justifikohet nga poeti me misionin profetik te krijuesit,"kush kryqezohet me poetin/o behet Krisht,/o Perendi" ("Kryqezim").I dyti eshte pasoje e vesit biologjik njerezor qe "dashurine kerkon gjer tek e pamundura" ("Gruaja mekatare").Te dyja llojet e mekatit,letrarisht,jane te barazvlefshem,na japin te njejtin produkt letrar me emrin "poezi lirike". Dhe per kete poezi po flasim.



Poeti Skender Rusi nuk i perket grupit te poeteve "boheme",apo poeteve qe u kendojne trilleve te dashurise "pa dorashka".Ai eshte sa i permbajtur,delikat aq edhe "i pacensuruar",spontan ne ndjenjat e veta.Duke i kenduar "mekatit",ai nuk harron per asnje cast se,mbi te gjitha ndjenjat dhe pasionet njerezore qendron dashuria e vertete dhe e shumanshme.Per heroin lirik te poetit dashuria eshte nje forme e ekzistences se qenieve njerezore te dy te dashuruarve,qe thithin ajer nga fryma e njeritjetrit ("Cuditerisht").Ajo i ngjall ndjenjen pasionante te joshjes dhe te sakrifikimit ("Meditim");ai dhe ne dy varre do te pranonte te tretej,vetem qe femra,qe ai dashuron,te mos kishte asnjehere vdekje ("Qe ti te mos vdesesh").Largimi,qofte dhe i perkohshem,i femres se dashuruar i ngjall trishtim dhe e ben te harroje vetveten ("Naten buze Nilit").



Kjo eshte nje dashuri reciproke dhe e natyrshme,qe nuk ka te beje aspk me dashurine platonike.Sekretin e kesaj dashurie e ruan te shenjte zemra e poetit ("Zemer poeti"). Zemer qe ditka dhe sekretin e "mekatit". Midis "poezive mekatare",ne vellim gjejme edhe poezine "Grate e poeteve".Gruaja e poetit,na thote poezia,eshte fillimi i cdo vjershe dhe fundi i cdo marrezie te madhe,"engjelli shpetimtar".Me duket interesant fakti qe kjo vjershe eshte shkruar ne nje vend te huaj,ne nje shtet europian.Ajo me tingellon si nje "apologji" apo "autokritike" e heroit lirik.

Sic duket,bota e huaj,me shfaqjet e saj,e ka bere te reflektoje per nje cast.Ajo i ka nxjerre perballe "modelin" e njeriut (dhe te krijuesit artist)qe "unazen martesore"te vene perpara altarit te Zotit dhe librit te Ligjit(opinionit shoqeror) e ka shkrire me kohe ne laboratorin e alkimise martesore dhe perpiqet te nxjerre ne drite "gurin filozofik" te lirise individualiste,te bashkejetese se dashurise dhe te mekatit bashkeshortor.



Mbi heroin lirik te shqiptarit Skender Rusit (dhe jo vetem te tij),per heroin lirik te poezise sone,ne pergjithesi,vigjelon akoma hija e "herezise".Kjo "bashkejetese",na thote poeti,eshte nje drame qe mund te shkaktoje "rrenoja te nje tradhetie te mundshme" dhe "dimer ndjenjash bashkeshortore"("Grate e poeteve").Ky hero lirik jeton me unazen e arte ne gishtin e katert te dores se majte(ose te djathte),kurse ne enderr ai ve dhe unazen e padukshme te "dashurise mekatare";ne enderr dhe...ne nje cast "rebelimi"te pasionit...



Skender Rusi ne poezine "Ndodhi nje dite" na permend Seremben dhe Eseninin.Domethene liriken e tyre.Poezia e Serembes eshte modeli i puritanizmit lirik dashuror.Lirika e Eseninit eshte modeli i shkaperderdhjes se dashurise tragjikisht andej-ketej neper mekate fatale.Poeti yne perpiqet t'i gershetoje qe te dyja keto modele.Ne poezine e tij,pra,bashkejetojne "dashuria' dhe "mekati". Asgje paradoksale.Edhe ne jete te kundertat rrine prane e prane.

Poezia e Skender Rusit eshte midis me te lexuarave,ajo eshte joshese per cdo moshe dhe seks.Ajo ka terhequr me kohe vemendjen dhe pelqimin e lexuesit.Eshte bere e njohur ne shkalle kombetare.Ne nje miting poetik kushtuar kesaj poezie (une kam pare videokaseten)publiku,qe mbushte sallen,duartrokiste edhe poezite "mekatare" te autorit,qe u recituan nga aktore te njohur.Duartrokiste poezite apo aktoret?Sigurisht,te dyja.Dhe,patjeter,"mekatin". Paradoksale!Por realitet. Kjo,per mua,do te thote se kjo pezi pasqyron nje raport te ri midis ketyre dy te kundertave edhe tek ne.Kodi i etikes sone morale,si komb,nuk e ka pranuar hapur tradhetine bashkeshortore.Ate e ka denuar Kanuni.Sic e pat denuar dhe Dekalogu i profetit Moisi dhe Testamenti i Ri.Bile,shqiptari nuk e ka praktikuar ne jete lirine kuranore per t'u martuar me me shume se nje grua.Ndersa kultura mijevjecare e qyteterimit europian e ka sfiduar me kohe kete,ka toleruar dhe toleron. Sistemi i vlerave tona morale,sic duket,eshte lekundur. Dhe Skender Rusi,poezia e tij,nuk mund ta anashkalonte kete dukuri.



Dhe poezia lirike jeton me kohen e vet.Sigurisht,vete poezia nuk e ndryshon boten,ajo ndihmon per ta kuptuar dhe per ta duruar kete bote te mbushur me shume me mekate se sa me dashuri.Joshja poetike e poetit ndaj "mekatit"nuk eshte gje tjeter vec se nje ritual sinqeriteti perpara Muzes,perendeshes virtuale te poeteve.Pra,nuk kishte se si te ndodhte ndryshe dhe me poetin tone.Vetem Hyjnise nuk i fsheh dot asgje.Dhe jo vetem kesaj.Edhe perpara idhujtarve (lexuesve) poeti nuk mund te shfaqet vec se me fytyren e tij te vertete.Ndryshe nuk te beson,nuk te adhuron askush.Arti i vertete fillon me sinqeritetinDhe vecanerisht dhe ekskluzivisht Lirika. Skender Rusi eshte poet i mirefillte dhe i paster lirik.Eshte poet qe del me zemren ne dore perpara lexuesit te vet,sic del perpara llauzit predikuesi me kupen e kungimit.Poeti del me kupen e Poezise te mbushur me gjakun e zemres se tij,qofte ky gjak i perzjere dhe me..."uthullin e embel".C'kuptim do te kishte po ta mbushte vetem me "veren e shenjteruar"!Tempulli i tij(Poezia) do te mbetej bosh pa besimtare (lexuesa) bashkekohes.



Dhe,per ta mbyllur kete meditim te pjesshem rreth lirikes se Skender Rusit (ai trajton dhe tema te tjera te rendesishme,si raporti midis jetes dhe vdekjes,miqesise dhe pabesise,cmires),per te qene i sinqerte dhe i sakte plotesisht (jo per nje "happy end"),poeti jo vetem na deshmon qe kjo bote eshte e mbushur me mekate,ai e denon kete "marrezi te bukur",qe e shtyn njeriun gjer ekstrem sa te kerkoje "dashurine" edhe atje ku nuk mund te gjendet,ne "zanatin me te lashte ne bote"...Eshte e kote dhe e turpshme,na thote ai,qe ky "mekatar" apo "mekatare" te kerkoje falje per nje gje qe do ta perserite ("Gruaja mekatare").Kredon e tij te vertete morale poeti na e shpall natyrshem ne poezine "S'dua te te humb":"Nuk jam perendi/sic me ke ditur./as kam qene ndonjehere/Krisht.../Ne se do me ndodhe/qe ndonjeres,/T'ia fal gjysmen me te mire/timen,/Kjo do te jesh ti/qe ke kuptuar,/se mekati vdes/prej dashurive". Po! Ne qofte se mekati lind atje ku ka vdekur nje dashuri,ai vdes ne castin kur lind dashuria e vertete.

Klubi "BOTA e RE"
Last Edit: 5 years 1 month ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.
Time to create page: 0.186 seconds