E Enjëte 25 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: BABAGJYSHËRIT E AMERIKËS (1) Nga ROZI THEOHARI

BABAGJYSHËRIT E AMERIKËS (1) Nga ROZI THEOHARI 2 years 7 months ago #117

  • STEFANI
  • STEFANI's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 50
  • Thank you received: 1
  • Karma: 0
rozicekupotpuri.jpg

Në shumicën e shtëpive dardhare ku shkon për vizitë, në odën e zjarrit ose në atë të miqve do të dallosh, në një vend të dukshëm në mur, një fotografi ovale të gjyshit të familjes. Ky është dhe prezantimi i parë që të bëjnë të zotët e shtëpisë: “Është gjyshi nga Amerika!” Një kostum i zi e një shami e bardhë në xhepin e majtë, sipër, këmishë e bardhë me jakë të kollarisur të ngritur pas qafe e me dy cepat e rrumbullakta të kopsitura mbi kravatën e gjerë e të zezë, qosteku i artë i sahatit, fiksuar te kopsa e tretë e jelekut, nxjerrin në pah një fytyrë burrërore e krenare, me një palë mustaqe të shkurtra e të zeza, dy sy që shpojnë si spica nën dy vetulla kaleshe që e zbusin disi atë vështrim të ngulitur larg, në horizont. Ju e vështroni për një çast atë fytyrë brenda elipsit të kornizës dhe gjëja e parë që ju shkon në mend, është se ai zotëri është ndër të parët shqiptarë që ka kapërcyer Atlantikun.

Në vitin 1890 erdhën në Amerikë dardharët e parë Misto Millona dhe Dhamo Çeku, të cilët do të pasoheshin nga qindra të tjerë me fillimin e shekullit. Emigrantët e parë dardharë në SHBA u vendosën kryesisht në zonën e Bostonit e në rrethina, duke u shpërndarë më vonë në qytetet e tjera të Massaçusettsit, si dhe në shtetet e tjera. Historikisht, shoqëria e parë e shqiptarëve të Amerikës përmendet “Vëllazëria Mirëbërëse e Dardhës”, e organizuar në Boston më 1 janar 1905, në bazë fshati. Kryetar u zgjodh dardhari i nderuar Misto Millona. Vëllazëria kishte për qëllim të kontribuonte për përparimin e fshatit të lindjes dhe të ndihmonte familjet e varfra fshatare… Një shoqëri e dytë e dardharëve të Amerikës u krijua më 1906 në Kembrixh, Mass. Ajo quhej “Vëllazëria Patriotike e Dardhës” dhe kishte të njëjtin qëllim e synim me atë të parën: vëllazërimin e dardharëve dhe përparimin e fshatit.

Kur u dorëzua prift Fan Noli, në mars 1908, dhe mbajti të parën meshë shqiptare në Amerikë, dardharët ndihmuan në organizimin e shërbesës. Ata rregulluan e përgatitën altarin, u kujdesën për qirinjtë e naforën, të cilën At Noli e shpërndau në fund të shërbesës kishtare. Dardhari Vangjel Laço lexoi në gjuhën shqipe “Apostullin” e përkthyer nga At Noli. Misto Millona ishte anëtar i komisionit të kishës së parë autoqefale shqiptare dhe bashkëpunëtor i At Fan Nolit. Më 1 mars 1909 djemuria dardhare e Amerikës me interesimin e dardharit të shquar Kostë Isak, organizoi të parin klub kombëtar në SHBA me emrin “Klubi i dardharëve të rinj—Përparimi”. Fan Noli u zgjodh Kryetar nderi…Qëllimi i kësaj shoqërie: “…duke themeluar një bibliotekë në sallën e klubit…, të mbledhë prej kohe dardharët e Amerikës, për t’u mejtuar punët me rëndësi të Atdheut…dhe vendosi të hapë një shkollë shqipe në Dardhë dhe të paguajë nga arka mësonjësit…” Në shtator 1905 kishte ardhur në Amerikë dardhari i dëgjuar Sotir Peci, intelektual i diplomuar në Greqi, patriot dhe luftëtar i shqiptarizmës. Dardhari patriot, demokrati e publicisti Sotir Peci ka luajtur një rol të veçantë jo vetëm në vëllazërimin e dardharëve, por edhe në lëvizjen patriotike shqiptare. Së bashku me Fan Nolin, Josif Panin, Goni Katundin e të tjerë, projektuan krijimin e shoqërisë kulturore shqiptare “Besa-Besën” në SHBA, e cila u themelua më 6 janar 1907…Në vijim, dardhari Kostë Isak ishte ndër organizatorët kryesorë të krijimit të klubit kombëtar “Zgjimi” në Mançester, më 1911. Qëllimi i këtij klubi ishte përhapja e gjuhës shqipe dhe përgatitja e atdhetarëve për nevojat e kombit. Shumë dardharë morën pjesë në shoqërinë “Malli i Mëmëdheut”, në shoqërinë “Besa-Besë”, si dhe në federatën panshqiptare “Vatra”, që u krijua nga bashkimi i gjithë shoqërive shqiptare të SHBA-së.

Një nga ndihmëtarët e drejtuesit e “Kombit” dhe menaxher (drejtor) i “Diellit” për shumë kohë ka qenë edhe dardhari patriot Gaqo Konda (Gjoleka)…Në artikujt e botuar nga Gjoleka Konda del në pah zotësia e publicistit, ndjenjat dhe dashuria për atdheun, si dhe nderimi për shokët e tij të “Lëvizjes së parë…” si i quan ai Fan Nolin, Konicën e të tjerë. Me zellin e tyre patriotik dardharët Sotir Peci, Josif Pani, Kostë Isak, Vasil Pani e të tjerë shkruan artikuj të panumërt nëpër gazetat e diasporës amerikane. Me besimin në idetë e tyre demokratike e përparimtare, këta liderë dardharë u dalluan edhe për oratorinë e tyre, aftësi e fituar nga përvoja gjatë takimeve e mbledhjeve të organizuara me emigrantët shqiptarë për të zgjuar tek ata ndërgjegjen kombëtare. Fan Noli shoqërohej me dardharët dhe i vlerësonte ata duke shkruar se grupi dardhar përbënte bërthamën e lëvizjes kombëtare në Boston, rreth të cilës “u formua një ushtri patriotësh që bënë çudira.”
x x x

Në vitin 1918 shoqëria e vëllazërisë dardhare u riorganizua dhe mori emrin “Mbleta”, me kryetar Kostë Isakun…”Mbleta” dërgoi bashkëfshatarin Leonidha Cika të hapte shkollën shqipe në Dardhë. Lidhjet e kurbetlinjve dardharë me atdheun ishin më të forta, sepse shumica e tyre i kishin familjet në Shqipëri. Nga Dardha, në atë kohë, ndodheshin 300 burra në Amerikë, të cilët ishin grumbulluar rreth shoqërisë “Vatra”. Eruditi dardhar Josif Pani më 1914 botonte artikuj kundër pretendimeve greke për pjesën jugore të Shqipërisë dhe kërkonte zbrazjen e saj nga forcat greke. Më 1917 deri 1918 Josifi, mik i ngushtë i Konicës, botoi në Uster gazetën “Sazani”, ndërsa në vitin 1920 ai filloi botimin e një gazete tjetër, “Drejtësia”, në qytetin Uatertoun, Mass.
Në komitetin e “Lidhjes Kombëtare”, të organizuar në Korçë më 1914 nga Themistokli Gërmenji, bënin pjesë edhe shumë dardharë. Pranë “Vatrës” në SHBA u krijua një komitet që do të merrej me organizimin e vullnetarëve që do të niseshin në Shqipëri. Dardhari Vasil Pani, 19 vjeç, ishte ndër të parët që u regjistrua, shembullin e tij e ndoqën edhe dardharë të tjerë: Misto Millona, Jani Isak, Thoma Ktona, Ilo Zdruli, Sarandi Melka, Peter Laço, Perikli Panori, Spiro Skënde e të tjerë, të cilët udhëtuan për në Shqipëri e morën pjesë në policinë kombëtare, që e kishte krijuar Themistokli Gërmenji në Korçë.

Ndërkohë në Amerikë vazhdonte fushata për mbledhjen e ndihmave. Josif Pani udhëtonte nëpër qytetet ku ndodheshin Shqiptarë, për të përhapur ndjenjat kombëtare e për të mbledhur ndihma. Klubi i dardharëve “Përparimi” i dërgoi dy telegrame Konferencës së Paqes dhe dy telegrame Konferencës së Ambasadorëve në Paris për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Përpjekja për bashkimin e gjithë shqiptarëve të Amerikës për shpëtimin e atdheut e nxiti dhe e frymëzoi dardharin muzikant Thoma Nashi të organizonte bandën “Vatra”, me djem të rinj punëtorë fabrikash pa asnjë përgatitje muzikore, por me vullnet të madh. Banda ngriti lart frymën e atdhedashurisë në Amerikë dhe në Shqipëri ku ajo shkoi në disa turne. Kur gjëmonin armët, në Luftën e Vlorës më 1920, banda e Thoma Nashit shkoi në Vlorë ku jepte koncerte për vullnetarët e luftës, në vijën e frontit. Aty Thomai kompozoi këngën e njohur “ Vlora, Vlora.” Dardharët e moçëm ruajnë kujtimet kur banda e bashkëdardharit të tyre Thoma Nashi erdhi vizitoi Dardhën, në vitin 1920. Një ditë më parë banda kishte dhënë koncert në Korçë, në sheshin “Themistokli Gërmenji”. Lajmi se banda mbërriti në Dardhë gëzoi të madh e të vogël, që u sulën nëpër rrugët e fshatit ku kalonin djemtë dardharë, duke luajtur me veglat muzikore. Mes tingujve të bandës, mes rrëmujës së njerëzve, prapa Maçit të Neçkës, që u binte cafareve, vraponte i vëllai, i cili, i përmallur që nuk e kishte parë Maçin prej vitesh, i thërriste: “ Vëllaçko!”...”Vëllaçko!”...Ndërsa Maçi, serioz, duke u rënë cafareve, e shtynte pak me bërryl e i përgjigjej: “Jam në detyrë!” “Jam në detyrë!”

x x x

Si punëtorë krahu në Amerikë, brezi i parë i dardharëve ka fluturuar mes shpresave e zhgënjimeve, mes peripecish, aventurash e të papriturash. Ata banonin në një mjedis të përbashkët, i cili kudo, edhe andej, edhe këndej Atlantikut është quajtur prej tyre “konak.”. Organizimi i jetës mbi bazën e konakut, tashmë pas një përvoje të gjatë, kishte ligjet e tij të paprekshme. Çdo anëtar i konakut duhet të jepte “hisen” e tij, një shumë në të holla një herë në javë, për të paguar ushqimin, qiranë dhe shpenzimet e tjera të vogla, që ata mundoheshin t’i pakësoninnë minimum. Sipas rrëfimeve të bashkëfshatarit, shqiptaro-amerikanit të moshuar, zotit të nderuar Cesta Kojnari, me banim në Netik, Mass, dardharët e parë që erdhën në Boston, punonin në fabrika, shërbenin nëpër restorante si kamerierë ose pjatalarës, lustronin këpucët, shisnin me karroca banana ose perime etj. Gaqo Konda (Gjoleka) dhe Pandi Kerja kishin patur një dyqan frutash në Boston. Miti Skëndja kishte një dyqan për lustrimin e këpucëve “Shoushine”, ku kishte punësuar dardharë si lustraxhinj. Mjaft dardharë kanë punuar në fabrikën e llamarinës në Boston. Ka punuar edhe Fan Noli në këtë fabrikë, në vitin 1906.
Zoti Kojnari tregon se në qytetin e Netikut u mblodhën më shumë dardharë, mbasi aty gjenin punë me lehtësi. Në fabrikën e këpucëve punonte Kristo Zengoja e bashkëfshatarë të tjerë. Në fabrikën e topave të bejsbollit në Netik punonin Spiro e Vangjel Kojnari e të tjerë. Ndërsa dardharët nga e njëjta familje, Ligor, Kleanthi e Ndini Coci kishin blerë një fermë në Netik, ku mbanin lopë e kultivonin perime. Shoqëria “Përparimi”, e cila u krijua në Boston, pas një viti u transferua në Netik, sepse aty kishte më shumë dardharë në moshë të re. Zoti Kojnari buzëqesh kur kujton se si në sheshin e kishës së Shën Thanasit në Netik mblidheshin djelmuria e Dardhës dhe luanin “cikëthi”, duke kujtuar me nostalgji Dardhën dhe ditët e tyre të fëmijërisë. Ndërsa djaloshi dardhar atlet e guximtar Naum Poro mori pjesë në maratonën e dëgjuar të Bostonit në vitin 1915. Pasi punoi si fotograf në Dardhë, Pero Kaçauni shkoi në SHBA më 1910, ku hapi një studio moderne “Perry Studio”, në Boston. Pero dardhari ishte i pari dhe i vetmi fotograf shqiptar në Amerikë. Duke qenë anëtar i shoqërive patriotike të Bostonit, Peroja fiksonte në aparatin e tij aktivitetet e tyre dhe na ka lënë një dokumentacion të vlefshëm historik. Studioja e Peros tërhiqte shumë shqiptarë dhe dardharë të Bostonit e të qyteteve përreth. Fotografitë me stampën “Perry Studio” udhëtonin nga Amerika në Shqipëri, të vetmet shëmbëlltyra të dashura të djalit apo të bashkëshortit, që laheshin nga lotët e nënave e të nuseve e që ruheshin për kujtim, me kujdesin më të madh. Ato janë akoma edhe sot. Hapja e shkollës për gjuhën shqipe nga patrioti dhe mësuesi i shqipes Petro Nini Luarasi në Netik ishte një ngjarje e rëndësishme, që ngjalli interes në të gjithë emigrantët e fshatit në fillim të shekullit të kaluar. Ata kishin një përparësi më tepër se bashkëfshatarët e tyre në Dardhë, ku në shkollë mësohej vetëm greqishtja. Në klasën e Petro Ninit uleshin djem të rinj dhe burra me mustaqe, me dëshirën e madhe për të shkruar dhe lexuar shkronjat shqip. Aty mësoi edhe patrioti e publicisti Josif Pani. Njëri prej këtyre nxënësve, Llazo Kovaçi, vazhdoi më tej shkollën e mesme amerikane ku fitoi specialitetin për teknik trenash. Dardhari Misto Mulliri, nga gëzimi që mësoi të shkruante gjuhën shqipe, i dërgoi letrën e parë në Shqipëri mikut të tij, profesorit dardhar Spiro Konda. Profesori iu përgjegj shpejt dhe në letrën e tij e përgëzonte, por i bënte edhe një vërejtje që nuk i përdorte shenjat e pikësimit. Mistoja i shkroi një letër të gjatë profesor Kondës dhe në fund të saj, një rresht e mbushi me pika e rreshtin tjetër me presje. Pastaj i shkruante:” Zoti profesor, ja ku po t’i dërgoj edhe shenjat e pikësimit, të lutem vendosi vetë nëpër radhë, aty ku duhen…”

x x x

“Dardharët e parë që erdhën në Boston, - vazhdon zoti Kojnari,- jo të gjithë patën fat të mirë. Disa syresh patën rrojtje të vështirë në konakët, në ndërtesa të vjetra ose në bodrume, për ta paguar sa më lire faturën e qirasë ose ndonjëherë edhe “free.” Atje, tek rrinin e flinin,- thotë ai,- shpesh përdornin krevatet e palltot e njëri-tjetrit, mbasi punonin në turne të ndryshme. Shitësit ambulantë të bananeve në netët e ftohta të dimrit mbuloheshin edhe me “jorganet” prej letre të stamposur, me të cilat ata mbulonin bananet në karroca…” (Kur po ecja një ditë në periferi të Bostonit, ndala hapat para njërës prej këtyre ndërtesave të vjetra shekullore, ndërtuar me tulla të kuqe e beton. Nga dritaret e bodrumeve vinte një erë e athët lagështie që të shponte hundët. R.Th.) Për të kursyer të holla për familjen, djemtë e konakëve harxhonin shumë pak për t’u ushqyer vetë. Qumështi në mëngjes dhe fasulet në drekë ishin pothuaj gatimet e përditshme. Në fund të javës bëhej llogaria dhe secili anëtar i konakut paguante afërsisht një dollar e gjysmë për ushqimin javor, që e përgatisnin së bashku. “Një herë,- tregon zoti Kojnari,- pasi e mbyllën llogarinë, dy dardharëve u teproi një peni (qindarkë). Të dy nuk po binin në një mendje se kush ta merrte, njëri apo tjetri. Së fundi vendosën. E goditën penin me sëpatë dhe e ndanë përgjysmë. Dy gjysmat i ruajtën si kujtim dhe, njëri prej tyre, që më vone vuri mjaft pasuri, e vari si relikte gjysmën e penit në qostekun e florinjtë të sahatit të xhepit.” Zoti Kojnari më tregonte histori të dëgjuara nga të moçmit lidhur me udhëtimet e dardharëve në zona të ndryshme të Greqisë, si vend që rrihej më shpesh, sepse ndodhej më pranë fshatit. Ai tregon se në malin e Selit, në Maqedoni, dardharët Ilo Paze dhe Llazo Thimi kishin ngritur dy sharrat e tyre që punonin me ujë. Iloja dhe Llazoja kishin punësuar bashkëfshatarët e tyre dhe bënin kryesisht qereste. “Dardharët,- tregon Kojnari,- kur ktheheshin nga Greqia, qëndronin e flinin një natë te hani i Petro hanxhiut, në malin e Pisoderit. Në këtë han karvanët pushonin, udhëtarët hanin bukë me bulmet e kos, pinin ndonjë kafe e çaj mali. Në han kishte vende të veçanta, ahure, për t’u kujdesur për mushkat e për t’u dhënë bar e tagji, ndërsa njerëzit shtronin një rrogoz pranë vatrës së zjarrit dhe aty e gdhinin natën. Pronari i hanit, njeri cingun e zemërlig, vendoste përditë një kërcu të madh druri brenda një kazani me ujë, në oborrin e ndërtesës. Kur vinin udhëtarët, kërcurin e vinte në vatër. Kuptohet që druri nuk merrte zjarr dhe njerëzit kërcisnin dhëmbët tërë natën duke u dridhur e duke mallkuar të zotin e hanit.
Erdhën e bujtën dardharët te hani i Petros. Hanxhiu u dha të njëjtin kërcu dhe u uroi natën e mirë. Dardharët, pa e zgjatur, dolën në oborr dhe me sëpatat e tyre e copëtuan kërcurin në copa të vogla e ashkla dhe bënë me to një zjarr bubulak që i ngrohu, i çlodhi e u solli gjumë të rehatshëm. Në mëngjes, Petro hanxhiu, kur pa vatrën plot shpuzë e hi, shqeu sytë e pyeti: “Ç’u bë kërcuri ?!” Ai më plaku i udhëtarëve dardharë u përgjegj: “E preu sëpata e dardharit!” Qysh atëherë kjo ndodhi ka mbetur “xhok!”- thotë Kojnari duke qeshur. Këtu fillon origjina e shprehjes kuptimplotë: “sëpata e dardharit.”

x x x

Emigrantët dardharë zbaviteshin me rrëfenjat për Vasil Dardharin, që ndante qumështin me karrocë me kalë e punonte natën. Ai flinte në karrocë dhe kuajt e dinin shtëpinë se ku do të qëndronte. Vasili zgjohej, linte shishet e qumështit para derës dhe vazhdonte të flinte. Shokët e konakut qeshnin sepse ai punonte natën kurse ditën nuk flinte, por dilte përjashta nëpër qytet.
Puna e rëndë në fabrika, kushtet e vështira të banimit dhe ushqimi i pamjaftueshëm ndikuan në dëmtimin e shëndetit të burrave dardharë. Ndonjëri edhe humbi jetën tragjikisht. Dhe, siç thoshin dardharët kur ktheheshin nga kurbeti në fshat, “Në Amerikë, po të vdesësh, të mbulojnë hamejtë… Nuk të qajnë…Në kishë nuk të shpien…” Fjalë dëshpëruese e rrëqethëse këto për nënat, motrat e nuset e fshatit.
Në muzeun e Dardhës ruhet ende letra e një nëne, e cila e kishte shkruar për t’ia dërguar djalit, ndërkohë që ai kishte vdekur: “I dashur biri i nënës Sotir, Kartën që më dërgove e mora dhe mësova që je mirë. M’u sfilit shpirti, bir, për ty, lotët po më qorrojnë. Pse nuk erdhe të më shoç një herë mua të zezën më parë se të vdes? Nuk do të më tretë dheu për ty, e mallkuar qoftë ajo ditë që të ndavi prej meje.”
Por kjo letër mbeti e padërguar, sepse më parë erdhi mandata për vdekjen e të birit.
( *Unë, Adriana Stefani, pyeta mamanë time Violeta të më thoshte kush ishte nëna e Sotirit. E dinte që quhej Athina Çeku Joro, ose Petrojca e Joros. Ajo ishte gjyshja e Endri Kekos dhe i thoshin " mëmë Joro ", jetonte në shtëpinë që ndodhet pranë Kroit të Joros *)

Në Kembrixh, Mass, dardhari Thimi Zengo punonte tek restoranti i Vasil Panit e më vonë në restorantin që kishte bashkë me kushërinjtë. Një ditë atë e ftuan bashkëfshatarët në një mbledhje të rastit, ku do të vendosnin të blinin së bashku një copë tokë për të ngritur një park varrezash vetëm për dardharët. Thimi jo vetëm që s’e pranoi këtë propozim, por, me të folurit e tij elokuent, bindës dhe emocionues, arriti t’i mposhtte të tjerët. “E kini kot! Kurrë nuk do të ngremë një qimitir këtu në Amerikë,-këmbënguli ai,- Kur të vijë koha të plakemi, ne do të kthehemi në Dardhë. Ne do të vdesim në Dardhë. Ne do të na mbulojnë njerëzit e zemrës, prifti dhe kambana e kishës së fshatit..” Fjalët prekëse të Thimit e bënë punën e tyre. Dardharët kthyen mendje.

x x x

Sëmundja e tuberkulozit filloi të prekte një nga një disa nga dardharët që banonin në bodrumet e Bostonit, një shqetësim të cilin Faik Konica e çoi deri në bashkinë e Bostonit. Faiku u takua me të sëmurët, i dërgoi urgjent te doktori e i këshilloi të ktheheshin në Dardhë, të shëroheshin e të çlodheshin. Mes tyre, të sëmurët më rëndë ishin Dhamo Çeku e Pandi Peci. Pandin e shpunë te doktori, i cili, pasi e vizitoi, tundi kokën me dyshim e nuk i dha as katër muaj jetë. Tani rruga e vetme mbetej kthimi në Dardhë për të gjithë të sëmurët. Tamam kur do të niseshin, njëri prej tyre hezitonte të kthehej e thoshte: “Këtu është më mirë se në Dardhë!” “Të hëngërt ulku! Në Dardhë ka ujë dhe ajër të pastër!”,- e shante tjetri.
Por përveç klimës shëruese të Dardhës, ishte dhe kujdesi i madh i grave e nënave, të cilat, të mësuara nga përvoja e mjekimeve popullore, i shoqëronin përditë të sëmurët të ngjitnin të përpjetën e kodrës së Propasit e i mbanin tërë ditën aty, nën rrezet e ëmbla të diellit, në ajrin e pastër e të freskët të pyjeve e livadheve me burime ujërash si kristali, duke i ushqyer me qumësht deleje e mjaltë borigash. Nga grupi i të semurëve vdiq vetëm Dhamo Çeku, ndërsa të tjerët jo vetëm që i rezistuan sëmundjes, por edhe u kthyen në Amerikë të shëruar. “Kur e shpunë Pandi Pecin te doktori, i cili i kishte dhënë vetëm katër muaj jetë, tani ishte mbushur viti,- thotë zoti Kojnari,- doktorit desh i ra alivan! Ti je gjallë? Çfare klime keni aty në Dardhë? Ti ke ardhur me mëlçi të reja!...” Dardharët e përkthyen në anglisht një poezi që kishte shkruar këngëtari i natyrës, poeti Asdreni, për Dardhën, dhe ia çuan doktorit ta lexonte:

Në do jetë, o derëbardhë,
Gjak në remba e shëndet…
Merr-o rrugën shko në Dardhë
Ku ndien gaz me të vërtet.

Doktorët hapën hartën e botës për të gjetur se ku ndodhej ky vend i vockël çudibërës.

“BOSTON ICE CREAM”—”BOSTON AJSKRIM”

Një grupi dardharësh, si: Vasil Tabaku, Leonidha Sekseni, Kristo Zengo e Thoma Stefani, i qeshi fati. Ata i mblodhën të hollat barabar dhe blenë një punishte për prodhimin e akullores në Boston. “Nuk ishte ndonjë zahmet i madh të prodhoje akullore, - tregon zoti Kojnari,- ja, e hidhje në kazan qumështin, çokollatën e çfarë tjetër duhej, i përziente elektriku dhe ja…dilte akullorja, që “e sulmonin” së pari fëmijët.” Dardharët furnizonin karrocat ambulante të akulloreve pa pushim, ashtu siç punonin dhe vetë e lodheshin pa pushim. Kur biznesi filloi të shkonte mbarë, Thomai u kërkoi leje shokëve të shkonte në Shqipëri, në Dardhën e tij, ku e priste me padurim nusja e re…Ardhja e një “amerikani” në fshat nuk ishte një ndodhi e vogël! Zakonisht ajo fillonte me sihariqin, cili djalë apo vajzë do të vraponte më shumë deri sa të mbërrinte tek shtëpia fatlume që priste mërgimtarin. Kënga dardhare që këndohej edhe në Dardhë, thotë:

Në qofshin burrat tanë,
Sihariq do jap gjerdane,
Në qofshin burrat e botës,
Mur më mur do t’i bie kokës…

Por nusja e Thomait dha bakshish një dollar, të cilin e kishte futur prapa ikonës së Shën Mërisë. Ishte një zakon në Dardhë që gratë vendosnin një deri dhjetë dollarë në kutinë mbajtëse prej druri të ikonave, varur në murin lindor të odës së zjarrit. Sapo kalonte derën lajmi i ardhjes së burrit kurbetli, ato ia dhuronin dollarët sihariqsjellësit. Nuk mund të përshkruhet gëzimi i Thomojcës (në Dardhë, vajza sapo martohej, menjëherë emërtohej sipas emrit të bashkëshortit duke i shtuar prapashtesën e gjinisë femërore “vica” ose “ojca”), me ardhjen e beftë të Thomait në shtëpi. Madje, edhe gjithë farefisi “u bë me krahë”, aty edhe gjithë fshatarët erdhën për ta përshëndetur e për të pyetur gjithsecili për të afërmit e vet në kurbet. Për dhëndrin “amerikan” fshatarët nuk kursyen verën më të mirë, rakinë e zier dy here dhe gatimet e Thomojcës që dita-ditës bëheshin më të shijshme. Gjatë vizitave të përditshme farefisi i sillte ndonjë ëmbëlsirë, syltiaç, mollë behari, qershi belica, aty edhe luleshtrydhe pylli. Ishin ditë të nxehta gushti dhe Thomai rrinte vazhdimisht në bahçen e shtëpisë, pinte ujë të ftohtë e kafe dhe ndiqte lëvizjet tërë shkathtësi të nuses së tij që piqte lakrorin në vatrën me saç…”E po mirë, - i tha ai një ditë Thomojcës, - u kënaqa me të ngrëna e të pira sa s’ka ku të vejë më…, po mua më mungon “ice cream”—Boston ajskrimi. Në Boston haja ajskrim çdo cast e minutë… Sa të mirë e sa të shijshme që e bëjmë aty, në punishten tonë…”
“Unë s’e marr vesh ç’qenka kaq e mirë kjo gjëja që të pëlqeka, - i tha nusja, - po pse nuk më solle mua ca ajskrim nga Amerika?” “Je në terezi? - ia priti Thomai, - unë udhëtova mijëra kilometra, si mund ta sillja…”Thomojca e ndërpreu me një zë të ashpër: “Unë dua “Boston ajskrim”, pse nuk më solle?” Sa hap e mbyll sytë, fqinjët u informuan rreth ekzistencës së akullores së famshme të Bostonit dhe më vonë e mësoi këtë një fshat i tërë. Mëngjesin tjetër, disa fshatarë kuriozë erdhën e pyetën Thomanë se ç’qenka kjo gjë e re për t’u ngrënë që ata s’e kishin provuar kurrë dhe pasuan miq të tjerë ditën e dytë e ditën e tretë, duke bërë të njëjtën pyetje.
Thomai u lodh së shpjeguari gjithsecilit se ç’është akullorja, çfarë pamje e arome ka e si shijon… Atij i vinte keq kur shikonte se si i lëpinin buzët bashkëfshatarët e tij kur ai ua përshkruante atë të bekuar ajskrim.

Në fshatin e tij mungonte elektriku dhe as që kishte mundësi të prodhonte diçka të ngjashme, afër akullores. Por ai provoi të bënte diçka tjetër. U ngrit herët në mëngjes së bashku me kushëririn dhe, kur mbërritën në rrëzë të Gramozit, dielli sapo i përshëndeti nga maja e malit. U ngjitën me vështirësi nëpër çuka e shkëmbenj dhe, kur zbritën të tatëpjetën aty nga mesdita, mbanin në dorë nga një qese të mbushur plot. “Hajde, nuse, na vër ca pjata mbi tavolinë,” - urdhëroi ai të shoqen sapo hyri brenda. Thomojca dhe kushërinjtë që u ndodhën aty, i sollën pjatat shpejt e shpejt. Thomai hapi grykën e qeses e filloi të vinte dëborën e bardhë mbi çdo pjatë. Pastaj, me kujdes, derdhi pekmez mbi dëborë deri sa e mbuloi rreth e qark pjatën. Njerëzit e shtëpisë i ndiqnin të hutuar këto veprime të tij. “Tani mund të hani “Boston ajskrim””, - tha Thomai e mori frymë lirisht. “Mm… Mm…qenka vërtet e shijshme”, - murmuriste Thomojca tok me të kusherinjtë dhe vazhdonin të hanin pjatë pas pjate.
Thomojca, pasi përqafoi të shoqin, dërgoi të lajmëronin komshinjtë. Shumë shpejt e mori vesh gjithë fshati ç’kishtendodhur… Duke shijuar dëborën e ëmbël e të shuruposur, ulur në barin e bahçeve, ndjanatëherave, gratë e fshatit çuçuritnin: “Ky Thomai, pastë uratën, na e solli Bostonin te pragu i derës!” Kur Thomai u kthye sërish në Amerikë, u gjend para mosmarrëveshjeve që kishin plasur mes anëtarëve të punishtes së akullores. Mosmarrëveshje që përfunduan në falimentimin dhe shitjen e punishtes te një kompani amerikane. Kështu, ëndrra e dardharëve për ta kthyer punishten në një fabrikë “Boston Ice cream” u tret si akullorja në diell. Ndërsa në fshatin e largët, xha Nasi, një fshatar i zgjuar, nisi “biznesin” e ri me gomarin e ngarkuar me koshat me dëborë Gramozi. Ai bariste nëpër rrugët e Dardhës duke bërtitur sa i hante gurmazi: “Hajde Boston ajskrim…shesim Boston Ajskrim…”

x x x
Vangjel Laçoja, vëllai i gjyshit tim, pasi emigroi në Turqi më 1903, u largua që andej më 1907 dhe emigroi për në Amerikë së bashku me Dhamo Çekun e Misto Millonanë. Ata u nisën nga Manastiri me pasaporta turke e prej andej, me tren e vapor mbërritën në Angli. Aty blenë valixhe, prenë rroba të reja, sipas veshjes së kohës dhe hoqën poturet e shajakut e torbat ku mbanin rrobat. Nga Londra udhëtuan në Liverpul e që andej, në udhëtimin dyjavor me vapor arritën në Manhaten, Nju Jork, ku u çuditën me Statujën e Lirisë.
Ata ishin njëzet djem nga fshati dhe, pas karantinës njëjavore udhëtuan për në Boston, kryeqytetin e emigrantëve shqiptarë. Pasi zunë punë në fabrikën e qelqit, emigrantët dardharë filluan të takohshin me dardharët e tjerë, ardhur më parë në Boston. Njëri prej tyre ishte Sotir Peci, i cili, së pari, u mësoi të shkruanin e të lexonin në gjuhën shqipe bashkëfshatarëve të tij. Vangjeli e ndihmoi mjaft S.Pecin gjatë shtypjes së gazetës “Kombi”, duke punuar pedalin e makinës. Peci, si mësues, publicist dhe atdhetar, ngjalli ndjenjat e atdhedashurisë te bashkëdardharët e tij, duke ndikuar në pjesëmarrjen e tyre në shoqëritë e para patriotike dardhare që ishin krijuar. Vangjeli u dallua si aktivist i komunitetit dhe shpërndarës i gazetës “Kombi”, duke ua lexuar atë dardharëve që nuk dinin të lexonin shqip. Gjithashtu, një ngjarje me rëndësi për Vangjelin ishte dita e 22 marsit 1908, në ceremoninë e hapjes së kishës së parë shqipe nga Fan Noli. Gjatë shërbesës, Vangjeli lexoi në gjuhën shqipe “Apostullin” e përkthyer nga Fan Noli. Ndërsa Fan Noli lexoi ungjillin, po në gjuhën shqipe, që shkaktoi lot gëzimi e përdëllimi te besimtarët shqiptarë. Vangjeli u aktivizua më 13 shkurt 1910, kur u krijua shoqëria dardhare “Vëllazëria Mirëbërëse Patriotike e Dardhës” në Boston (nga shkrirja e dy shoqërive të mëparshme). Në këtë shoqëri bënin pjesë 100 djem nga Dardha, të cilët organizonin piknike, me këngë e valle, duke kujtuar mëmëdheun e largët nën robërinë turke.
Me krijimin e “Vatrës” në mars 1912, me Nolin si sekretar, Vangjeli ishte anëtar i parë i degës nr. 1 të Bostonit. Më 1916 Vangjeli ishte arkëtari i “Vatrës”. Në mbledhjet e “Vatrës” ai mbante proces-verbalin dhe paguante shpenzime të ndryshme. Pasi Noli shkroi poezinë prekëse “Jepni për nënën”, Vangjeli dhuroi 70 dollarë, që ishin gati një rrogë e gjysmë mujore e, për këtë zemërgjerësi, Vatra i dha një fletë nderi me titull “Vatra Tri Qershor”. Në këtë kohë në Boston u krijua “Mandolinata e parë shqiptare”, ku shumica e pjesëmarrësve ishin dardharë. Grupi muzikor drejtohej nga dardhari Thoma Nashi, e Vangjeli luante mandolinën e parë. Kjo orkestër u krijua për të ngjallur dashurinë për mëmëdheun e për të ngritur lart moralin e emigrantëve shqiptarë, duke interpretuar këngën “Për mëmëdhenë”. Në vitin 1917 Vangjeli u bë qytetar amerikan dhe u thirr nën armë nga shteti. Ai u paraqit në komandë për t’u nisur. Por, kompania ku punonte Vangjeli, kishte marrë porosi ushtarake dhe dardhari e kreu shërbimin ushtarak në vendin e punës. Me formimin e shoqërisë dardhare “Mbleta”, Vangjel Laçoja u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj, ku punoi për shumë vjet. Më 1920 u kthye në Dardhë, u martua me Eftali Stefanin (Laço) dhe pas vitit të parë u lind një vajzë me emrin Leonorë, duke vazhduar me fëmijë të tjerë në vitet e ardhshme. Gjatë qëndrimit në Dardhë Vangjeli kontrollonte punimet komunale që ishin kryer në fshatin e tij me paratë që dërgonin shoqëritë dardhare nga Amerika… Gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, kur rruga për në Shqipëri u bllokua, Vangjeli u aktivizua tek shoqëria dardhare “Hall” në rrethinat e Bostonit, ku u zgjodh sekretari i saj. Kur u kthye përfundimisht në atdhe, pranë familjes së tij të dashur, më 1958, Vangjeli solli edhe një shumë prej 7000 dollarësh nga arka e shoqërisë “Hall” të cilat u përdorën për infrastrukturën e fshatit Dardhë.
Vangjel Laçoja është i regjistruar në librin e patriotëve të vjetër të Korçës.Ai vdiq në nëntor 1968 në shtëpinë e tij në Tiranë, pasi u gëzua e u rehatua për dhjetë vjet me familjen e tij, fëmijët, nipërit e mbesat.

FYTYRA LEGJENDARE

Gjyshi im, Peter Laçoja, erdhi në Amerikë në vitin 1903 dhe punoi deri në vitin 1962. Pesë vjetët e parë punoi në pyjet e Nju-Empshrit e të Meinit. Ishin dhjetë djem të rinj dardharë, midis tyre, Foti Bodi, Jani Panori, Ilo Zengoja, Arqile Raci, Vangjel Xhordani e të tjerë. Djemtë dardharë, të cilët e përdornin sëpatën me sy mbyllur, u pranuan menjëherë në punë në pyjet e dendura, ku treguan mjeshtërinë e tyre në ngritjen e instalimin e sharrave dhe prerjen e stivimin e drurëve. Ata dalloheshin mes emigrantëve të tjerë maqedonas, italianë, grekë, irlandezë, skocezë e të tjerë, për rendimentin e lartë dhe për kryerjen e punës me saktësi e cilësi. Ata i linin prapa të tjerët, mbasi, ndryshe nga Shqipëria, të huajt në vendet e tyre kishin mjete më të mekanizuara për prerjen e qerestesë ose për transportimin e drurëve. Brenda një kohe të shkurtër druvarët dardharë lane nam dhe u përgëzuan nga drejtuesit e kompanisë, të cilët u vunë nofkën “mushkat e Meinit.” “Por kemi edhe një gomar midis nesh”, - bënin shaka djelmoshat dardharë, se njëri prej tyre nuk punonte aq mirë sa të tjerët.
Nuk do t’i harroj kurrë historitë që më tregonte gjyshi nga jeta e tij në Amerikë. Ato i kam të gjalla edhe sot në kujtesë. Gjyshi im mbante mend e na tregonte se në një shpat mali në mes të gjelbërimit zbardhonte një shkëmb i madh e i rrumbullakët me sipërfaqe të rrafshët. Emigrantët e quajtën atë gur njëzëri “Sofra e Skënderbeut”. Aty mblidheshin dardharët, hanin drekën në orët e pushimit dhe s’kishte dite të mos kujtonin legjendat e Gjergjit mbi kalë, aq sa u dukej se dëgjonin edhe zhurmën e patkonjve të tij, të cilën e përcillte jehona e pyllit. Më vonë aty shkonin çdo verë emigrantët shqiptarë me familjet e tyre ku organizoheshin piknikë dhe lojëra sportive.
Për pesë vjet rresht dhjetë djemtë dardharë nuk dolën jashtë prej pyjeve të dendura, duke u kthyer kështu në shtojca të pyllit. Ata banonin së bashku si vellezër në një kasolle druri të ndërtuar nga vetë ata, me të njëjtin emërtim të traditës, “konak.” Çdo ditë, sipas radhës, njëri prej tyre nuk shkonte në punë, por qëndronte në kasolle për të gatuar, për të mbushur ujë e për të pastruar shtëpinë. Për atë ditë ai quhej “djali i konakut.” Kur ktheheshin shokët, gjella avullonte në kusi, aroma u kujtonte gatimet e nënës dhe Dardhën e largët. Netët me kohë të mire të rinjtë i kalonin përjashta, ulur mes drurëve shekullorë të Maleve të Bardha, duke luajtur melodi me fyej të vegjël, “pizga”, të punuara vetë me biçak. Ata imitonin bukur zërat e zogjve të pyllit ose luanin këngë kurbeti që i këndonin nënat e motrat nëpër dasmat, me iso të gjata, të përvajshme e melankolike, të cilat ua shtonin më tepër mallin për vatrën e shtëpisë:
“Qiraxhi që nget karvane…” , “ Ç’po këndon bilbili lart-o në korijet…”, “Vallja më kish hije…” Ditën punonin si kuaj, natën këndonin si bilbilat, por nuk ishin vetëm këto dy dallime që i veçonin dardharët nga emigrantët e tjerë. Të gjithë druvarët që punonin në kompani, kishin një veshje uniformë, ovrolle (“over all” pantallona bluxhins me tiranda), xhaketa të zeza të trasha dhe këpucë alpine me qafa. Por për dardharët ishte një detaj tjetër që binte në sy të të gjithëve: çorapet e leshit bojë bezhë, që ata i përvishnin mbi qafat e këpucëve e dukeshin si alpinistë. Nënat e motrat e tyre në Dardhë i kishin punuar çorapet e leshit me bollëk për djemtë e kurbetit dhe kjo ishte e vetmja pjesë e veshjes që ata e kishin marrë nga moda e veshjes së burrave të fshatit. Në një ditë feste amerikane, emigrantët ishin mbledhur në një shesh të gjerë në mes të pyllit. Këndonin këngë të ndryshme, shkëmbenin mes tyre suvenire ose luanin futboll. Në çast, vëmendjen e tyre e tërhoqi një emigrant skocez i cili u afrua ngadalë duke tërhequr për freri një kalë korrozi e të hazdisur. Skocezi bërtiste: “Atij që do të shalojë kalin tim, do t’i jap një dollar…Por ai, të cilin do ta hedhë poshtë kali im, duhet të më paguajë mua një dollar.” Sigurisht, shumë veta provuan t’i hipnin e ta shalonin kalin e egër, por nuk mundnin. Disa syresh kali i hodhi poshtë, të tjerët i shqelmoi e i plagosi keq. Duke rënkuar nga dhembjet e duke sharë nëpër dhëmbë, ata ia jepnin me dorë të dridhur dollarin skocezit fatlum. Kur i erdhi radha djaloshit shqiptar që u ndodh aty, iu afrua nga anash ngadalë-ngadalë kalit të tmerrshëm dhe, ashtu i lehtë siç qe, me dinakërinë e dhelprës, fluturoi mbi kalë. Me gishtërinjtë e ashpër e mbërtheu atë dhe ia nguli thonjtë në krifë. Atëherë, me dorën e majtë, me shpejtësi e takt, ia zuri dhe ia shtrëngoi hundën aq fort, sa kafsha e trembur lëshoi një hingëllimë të lemerishme. Kali ishte mposhtur. Djaloshi fitoi. Ai fitoi një dollar. Kur skocezi fytyrëvarur i dha dollarin, emigrantët duartrokitën e bërtitën për shqiptarin. Djali triumfator gjeti nëntë shokët e tij, u tregoi çfarë ndodhi e ua tundte dollarin në ajër. Mbasi u rrëfeu marifetin që përdori për të zbutur kalin, të gjithë djemtë dardharë vendosën të provonin edhe ata fatin dhe u afruan tek grumbulli i njerëzve.
Kur skocezi pa t’i radhiteshin para syve dhjetë djem me nga dhjetë palë çorape bezhë, u kujtua në dekikë: djaloshit që fitoi, duke luftuar të mposhtte kalin asgan, iu ngritën lart “ovrollet” dhe skocezi fiksoi në mendje një palë çorape bezhë. “Unë nuk pranoj të luaj me punëtorët shqiptarë”, - foli zymtas dhe u zbyth prapa, mes drurëve të pyllit, duke tërhequr kalin për freri.

x x x

Sa herë kam shkuar në ekskursione në shtetin e Nju-Hempshrit dhe të Meinit në stinën e pranverës e të vjeshtës, e kam kujtuar babagjyshin dhe disa herë jam futur në brendësi të pyjeve. Në një ditë me diell maji, duke shëtitur mes ahishteve, një nuse pashke - mumurrizë më qëndroi në llërën e dorës. M’u kujtuan vajzat e vogla dardhare, të cilat, dikur, në fillim të shekullit të kaluar, e këndonin me dëshirë e ëndërrim këngëne mumurrizës, që u tregonte rrugën e kthimit të babait ngaAmerika. Nëna ime, Aleksandra, dhe tri motrat e saj vogëlushe,në pranverë, kur përhapeshin nëpër lule mumurrizat me krahët e kuqe e me pika të zeza, zinin njërën prej tyre, e vendosnin në kurrizin e dorës së majtë duke kënduar: “Mumurrizë, moj mumurrizë,/ Prej nga do të më vijë babai/ Prej larti apo prej poshti…” Në qoftë se insekti ecte lart krahut, atëherë pandehma ishte se babai do të vinte nga veriu, në lundrimin Nju-Jork--Itali--Durrës e më tej, Korçë--Dardhë, me mushka ose me makinë. Në qoftë se insekti zbriste poshtë mbi pëllëmbën e dorës, dukej se babai do të vinte nga jugu, në lundrimin Nju- Jork--Itali--Greqi dhe Selanik--Dardhë me makinë. Ato vraponin t’ia tregonin sihariqin nënës, shoqeve e grave të mëhallës. (Kënga e kurbetit thotë: “Sihariq o moj grari, sihariq/ Burrat tuaj dual në Selanik./). Ndërsa në stinën e vjeshtës kujtoja se sa bukur e përshkruante gjyshi ndryshimin e nuancave të ngjyrave të pyjeve në muajin tetor. Duke i parë tani, me sytë e mi, mahnitesha me pamjen piktoreske që më shfaqej në përmasa gjigante: pylli me qershitë e egra, që dukej sikur kishte marrë zjarr nga gjethet e kuqe të ndezura dhe liqeni ngjyer gjak prej reflektimit të tyre si në pasqyrë. Ndërsa pyjet më tej, me drurët e dushkut, ahut, panjes e shkozës shquanin nga kontrasti dritëhije mes ngjyrës portokalli të çelur, brik, vishnje dhe jeshiles së borigave e blusë së qiellit, të cilat, të kombinuara të gjitha së bashku krijonin një tablo të harmonishme. Një herë, u ngjita me teleferik në një nga pyjet e Maleve të Bardha dhe kur arritëm në majë, mes kaltërsisë së kurorës së bredhave, u thashë shoqeve amerikane se dëshiroja të ecja vetëm. Hyra në thellësi. Errësirë. Këngë zogjsh. Shushurimë gjethesh nga era e ftohtë e vjeshtës. Duke prekur një dru a një gur, duke përfytyruar se atë e ka prekur edhe dora e gjyshit, hyra në një shteg të ngushtë mali prej nga ndjeva si në ëndërr oshëtimën e sëpatave. Jehona vinte së largu, përplasej në veshët e mi dhe humbte poshtë, nëpër luginat e blerta. “Puna e mbarë, gjysh!” Por ajo që më ka mbetur në mendje, është “fytyra e shkëmbit” të maleve të Nju-Empshrit ose siç quhet “Plaku i maleve”. Në majën e një masivi të thepisur natyra kishte vendosur disa shkëmbinj njëri mbi tjetrin, duke krijuar një profil graniti madhështor: ballin gjysmë të dukshëm, hundën e prerë drejt, buzët pak të hapura, mjekrën katrore, pak me majë. Vetëm shkëmbi i ballit ishte afërsisht 300 tonë. “Ishte”, se sot nuk është më. Krejt fytyra u shemb e ra përtokë në vitin 2003, për shkak të erozionit. Dhe unë vazhdoj të mbaj akoma në tavolinë fotografinë e “Plakut të maleve”, e cila ngjan aq shumë me portretin e gjyshit tim, që e kam aty pranë. Legjenda tregon se djemte e rinj që e shihnin vazhdimisht fytyrën shkëmbore të
“Plakut të maleve”, kur plakeshin, merrnin tiparet e tij.

x x x

Në vitin 1908 gjyshi dhe shokët e tij dardharë lanë pyjet dhe erdhën të punësoheshin në qytetin Milinocket të Meinit. Ishte hera e parë që shikonin një qytet amerikan. Të dhjetë dardharët, si vëllezër, zunë me qira katin e parë të një banese dhe, pa u ndarë, punuan të gjithë në të njëjtën fabrikë të letrës, në kompaninë Grenot. Një ditë të ftohtë janari (dimrat e Meinit janë të egër) dardharët, që kishin mbetur pa dru zjarri, dolën përjashta në rrugë dhe, me naivitet, pa pyetur ose pa i ditur rregullat, filluan të prisnin me sëpata drurët dekorativë të trotuareve. Sigurisht, polici erdhi në çast dhe i gjobiti dëmtuesit. “Në fshatin tonë, - i thanë djemtë, - kur kemi ftohtë, presim dru!” “Por jo këta drurë”, - ua ktheu polici dhe, duke i vënë të dhjetë dardharët përpara, i çoi te fabrika e letrës. Kur i pa djemtë shqiptarë, bosi tha: “Këta janë punëtorët më të mirë që kam!” dhe ia pagoi ai gjobën policit. Deri në moshën që vdiq, 88 vjeç, gjyshi na e tregonte gjithnjë këtë ngjarje neve, nipërve e stërnipërve. Pasi mblodhën ca të holla, dhjetë djemtë dardharë, që tani ishin bërë burra, u kthyen në Dardhë, u çmallën me njerëzinë,ndërtuan shtëpi e u martuan me vajza të hijshme. Gjyshi Peter zgjodhi një bukuroshe sinicare, të cilën e pa për herë të pare fshehurazi tek ajo shkonte të milte lopën me një kusi në dorë. Dasma u bë shpejt dhe dy muaj më vonë, pasi i lanë nuset shtatzëna, dhëndurët u kthyen përsëri me Mein, ku i priste fabrika. Ndërkohë që punonte, gjyshi vazhdonte edhe shkollën e u bë teknik i kualifikuar, i cili punonte në të gjithë sektorët e fabrikës. Ai më tregonte se tani emrin e tij “Piter” e dinin të gjithë punëtorët e fabrikës, të cilët e donin dhe e respektonin për punën e kujdesshme dhe me cilësi për mirëmbajtjen e makinave. Çdo të premte e të shtunë, kur disa reparte të fabrikës nuk punonin, ai riparonte makinat. Sa herë punonte me makineritë, ai kujtonte me dëshpërim të madh njërin nga shokët dardharë, Vangjel Xhordanin, të cilit, aksidentalisht i shkanë këmbët e ra mbi makinat grirëse e nuk iu gjend nishani. Tani ata kishin mbetur vetëm nëntë, megjithatë, e ndienin vazhdimisht Vangjelin mes tyre. Në vitin 1920, gjyshi, Peter Laçoja, bashkë me shokët e tij erdhën vullnetarë në Korçë e u regjistruan në çetën e Themistokli Gërmenjit për të luftuar kundër mësymjeve të grekëve. Ata sollën me vete 2000 dollarë që kishin mbledhur nga kursimet e tyre dardharët e Meinit, dhe i dhanë dhuratë për të ndërtuar postkomandën e fshatit Dardhë. Kur erdhi për të pestën herë në Dardhë, më 1921, gjyshi plotësoi koleksionin “pesë” të fëmijëve duke i dhënë jetë një vajze faqekuqe, e cila, 41 vjet më vonë, do ta priste te shkallët e aeroplanit, në aeroportin e Rinasit në Tiranë. Ajo ishte tezja ime e tretë.

x x x
Më kujtohet, ishte një ditë e ngrohtë maji e vitit 1962, kur unë bashkë me tezen e vogël u afruam tek aeroplani, në pistën e Rinasit, “të merrnim në dorëzim” nga ekuipazhi i aeroplanit italian “Alitalia” gjyshin e verbër, gjyshin e kërrusur, të shkurtuar, të dërrmuar nga puna e mundimshme e 60 vjetëve në pyjet e në fabrikat e Meinit. Ai ishte sëmurur disa herë dhe fatalisht, gjatë një aksidenti automobilistik, kishte humbur dritën e syve. Atë ditë në aeroport, me përjashtim të gjyshes, kishin ardhur për të pritur gjyshin pothuaj gjithë familja e farefisi. Pavarësisht se nuk i shikonte, ai mallëngjehej e qante kur gjithsecili i afrohej e përqafonte dhe i tregonte emrin. Në qytetin Milinocket, në Mein, për të kujdeseshin organizata të veçanta, që ia krijonin të gjitha kushtet në shtëpinë e tij, por gjyshi kishte këmbëngulur të kthehej në Dardhë; i dukej se aty do t’i kthehej sërish drita e syve. Po ngjitnim shkallët e pallatit ngadalë e të heshtur, me gjyshin përkrahësh. Ndaluam te dera e katit të tretë ku po priste gjyshja me shaminë e zezë lidhur në kokë. Kur u ndodh përballë saj, gjyshi ia rrokëzoi emrin me një zë të përmallshëm, të dridhshëm e të humbur vajtimtari: “Ku je, Ka-te-ri-në!...” Gjyshja gjithmonë ka patur një karakter të hekurt, rrallë i kishim parë lot në sy e rrallëherë e kishte lëshuar zemra. Ne mbajtëm frymën pezull. “Këtu jam…ku do vete…Jam plakur edhe unë si ti…Isaf…”,1) - foli ajo me një ton të ftohtë. Ne të gjithë i bënim me shenjë gjyshes të tregonte pakdashuri e dhembshuri për të shoqin dhe na shkriu gjaku vetëm atëherë kur pamë buzëqeshjen në fytyrën e saj. Kur e ulëm në kolltuk e i sollëm diçka për të pirë, gjyshi na thirri me radhë të gjithë dhe, duke na prekur fytyrat, mundohej të kujtonte emrin e secilit. Pastaj, kur u sigurua se i kishte të gjithë pranë, iu lut mamasë sime, si vajza më e madhe, të nxirrte një zarf prej xhepit të vogël të këmishës prej fanellate. “E di që rrojtjen s’e kam të gjatë, - foli ai ngadalë, - prandaj ja ku ju them të tërëve, këta 200 dollarë në zarf i kam për kryqin e varrit, e dua prej mermeri të bardhë e të më varrosni në Dardhë. Premtomëni! Dua të dëgjoj me veshët e mi se do të ma plotësoni amanetin!” Ne i premtuam. Ishte ende viti 1962. Pasi u çmall me ne, pas disa javësh, sipas dëshirës së gjyshit, u nisën të tre për në Dardhë: ai, mamaja ime dhe gjyshja. Në pushimet verore shkuam edhe ne, disa nga nipërit e mbesat, i bënim shoqëri gjyshit tek qëndronte ulur në një karrige kashtore, me këmbët e mbuluara me një kuvertë dhe me syzet e errëta me xham të trashë që ia zinin gjysmën e fytyrës. Atij i pëlqente të ulej çdo ditë në kopsht dhe na lutej t’ia drejtonim karrigen nga korija e ahut. Psherëtinte gjithnjë duke përsëritur fjalën “Mein”, “Mein!” Të vinte edhe për të qarë, edhe për të qeshur sa herë ai thoshte “Mein,” sepse gjyshja kujtonte se ai përmendte emrin e ndonjë gruaje andej nga Amerika. “Mein!”, - përsëriste gjyshi, - Ah, ju nuk e dini sa të bukura janë ngjyrat e pyjeve të Meinit !” Drejtonte dorën nga korija e ahut e vazhdonte, - Ja, sikur ato më vibrojnë… unë mund t’i shoh tani…I shoh…”
Ai hiqte syzet e errëta e zgjaste kokën drejt pyllit. Dhe fytyra e tij me një profil të ngurtë, balli dhe hunda e drejtë e mjekra katrore, (tani që po shkruaj i sjell në kujtesë), sa shumë i ngjante fytyrës legjendare prej graniti të “Plakut të maleve” në Nju-Empsher. Ai ishte rritur, burrëruar e plakur mes atyre maleve. Gjyshi Peter vdiq me dhembje e vuajtje të mëdha me fjalët “Mein”, “Mein”, ndërsa në faqet e tij rridhnin lotët.

NË VEND TË MBYLLJES:

Kur kishave u vunë drynin, në vitin 1966, dhe rinia u urdhërua të thyente kryqet e varreve, të rinjtë e Dardhës e thyen edhe kryqin e të ndjerit, emigrantit Peter Laço. Një dardhar plak që po kalonte atë çast para varrezave, ngriti bastunin e u foli i dëshpëruar: “Mosni, more djem…, bëni gjynah që thyeni kryqin e atij plakut qorr…Ai për atë kryq erdhi këtu…”
1) Isaf—turq. me kuptimin “boll”, “mjaft”…
I riu me i ri,
I bukuri me i bukur,
I shendoshi me i shendoshe,
behet kur viziton Dardhen.
Last Edit: 2 years 7 months ago by STEFANI.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.192 seconds