E Enjëte 22 Qer 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: VANGJO ILO—NJE KOLEKSIONIST I SHQUAR

VANGJO ILO—NJE KOLEKSIONIST I SHQUAR 5 years 1 month ago #54

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Nga Qerim Vrioni




VIQV.jpg

Këtë prill (më saktë në datën 17), Vangjo Ilo, do mbushte 80 vjet jetë, sikur të mos ish ndarë nga të afërmit dhe miqtë nga një sëmundje e rëndë, në tetor të vitit të shkuar. Madje, për të ishte menduar dhe një ceremoni e thjeshtë me këtë rast nga miqtë e tij të shumtë, koleksionistë, fotografë, studjues e, sidomos dardharë. Ndonëse i vendosëm në fund dardharët, kjo si të thuash se ata do ishin të zotët e shtëpisë, sepse i ndjeri ishte një dardhar i fortë, jo vetëm se kish lindur atje në një nga familjet më të vjetra, por edhe pse lidhjet shpirtërore me të i mbajti kurdoherë të gjalla.
Vangjo Ilo, është lindur në familjen e njohur të fshatit me mbiemrin Stefani. Në moshën dy-vjeçare, ai birësohet nga halla e tij, Aleksandra dhe i shoqi, Spiridon Ilo, atdhetar i njohur. Kjo solli largimin nga Dardha dhe vendosjen në Korçë, tek prindët te rinj, të cilëve u qëndroi përkrah gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tyre. Shkollën e mesme e kreu me sukses në gjimnazin e qytetit, ndërsa studimet e larta, për kimi industriale, i mbaroi në Pragë (Cekosllovaki), gjithashtu me rezultate shumë të mira. Me t’u kthyer në atdhe, Vangjo, punon në disa sektorë të industrisë kimike në detyra drejtuese e, deri në dikastere qëndrore të vendit. Kudo, ai është shquar për seriozitet, aftësi dhe shpirt krijues, duke ndikuar për futjen e teknollogjive të përparuara në fabrikën e Gomës dhe në ato të plastikës.


Dardhe1995.jpg

Pas daljes në pension, përkushtimi i tij karakteristik, u shpërfaq në fushën e atdhetarisë dhe historisë së vendit. Në këto dy rrafshe, Vangjo Ilo, ishte mëkuar qysh i vogël nga i ati, Spiridon Ilo, veprimtar i dalluar i Lëvizjes për Clirim Kombëtar, firmëtar i dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, krahas Ismail Qemalit e patriotëve të tjerë. Synimi i tij në këtë lëmë, ishte dhe mbledhja, ruajtja, përzgjedhja, përdorimi i dokumentave, gazetave, shkrimeve, fotografive, pllakave të gramafonit e sendeve që lidhen me veprimtaritë që çuan në Ngritjen e Flamurit. Njëkohësisht, ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me fshatin e tij të dashur, Dardhën, ndonëse në të kish jetuar vijimisht, vetëm dy vjetët e para pas lindjes. Në vitin 1984, Vangjo Ilo, ishte ndër nismëtarët e organzimit të një sesionit shkencor për Dardhën, për gjithçka lidhej me të, që nga historia më e herëshme, gjeografia, ekonomia, veprimtaritë shoqërore e kulturore, deri në zhvillimet e kohëve të fundit. Të gjitha materialet që u mbajtën në atë session, Vangjo Ilo, i botoi në një libër më vehte para 3-4 vitesh me titull, “Dardha dhe njerëzit e saj” në dy vëllime, shumë më i zgjeruar nga dispenca e shaptilografuar që u shpërnda në kohën e sesionit. Libri, është plotësuar me të dhëna nga të gjitha fushat e jetës, është si të thuash, një enciklopedi e vogël e fshatit, madje në fund, si pak botime të llojit, ka dhe indeksin e emrave. Natyrisht, në të pasqyrohet edhe ndershmëria tipike në paraqitjen e fakteve të pandryshuar dhe me burimin e informacionit.
Veprimtarisë së koleksionistit, Vangjo Ilo, do t’i përkushtohej tërësisht këto 20 vitet e fundit, ku vendin e parë do ta zinte bota e Dardhës, fshatit të lindjes. Rozi Theohari, shkrimtare me origjinë nga Dardha dhe banim në Boston (SHBA), shkruan për të se “ai e jetonte thellë në shpirt dashurinë për familjen, Dardhën dhe dardharët”. Mbledhja dhe ruajtja e materialeve historicë, ishte një veprimtari vetjake e pa përfitim material, por ai e kryente me ndershmëri e skrupulozitet për t’u marrë shembull. Kështu, ai shënonte, skedonte, arshivonte, emërtonte me numra dhe germa ekzemplarët, i shoqëronte ato me datën përkatëse, me emrat e personave pjesëmarrës etj. Veçanërisht, me vlerë është koleksioni i fotografive të vjetra që ka pasur e ruajtur Vangjo Ilo, kryesisht nga Dardha, por edhe nga gjithë krahina e Korçës. Aty, ai kishte edhe kopje të vetme të realizuara nga fotografët e Dardhës, që nuk i kishte tjetërkush. Po ashtu, Vangjo Ilo, ishte mjaft bujar kur i kërkohej ndonjë ekzemplar nga studjues e specialistë të fotografisë për të shoqëruar ndonjë shkrim analitik. Autori i këtyre rradhëve, ka gjetur tek arshiva e tij, një burim të çmuar fotografish të vjetra të autorëve dardharë, por edhe të dhëna të sakta për njerëzit dhe veprimtaritë e zhvilluara në Dardhë. Madje, së bashku me të patëm idenë e ngritjes së një Muzeu në një hotel të fshatit me foto të realizuara gjatë gjithë kohëve nga fotografët dardharë, fatkeqësisht, kjo nismë nuk u sendërtua, edhe se Vangjo u nda nga jeta ne tetor 2011. Siç shkruan, Sotir Laço, një mik i vjetër dhe bashkëfshatar i Vangjo Ilos me banim në Detroit (SHBA), me shuarjen e tij “Dardha humbi një nga njerëzit më të përkushtuar për të ruajtur dhe mbrojtur traditat e bukura të fshatit”


vangjoilo1.jpg

Vangjo Ilo, hynë në rradhën e atyre koleksionistëve që materialet e tyre nuk i ngurosin brenda murve të shtëpive, por i bëjnë, në mënyra të ndryshme, të vlefëshme për shoqërinë. Kjo, ndoshta përbën vlerën më të madhe dhe të paharueshme të Vangjo Ilos, 80-vjetorin e lindjes të të cilit, po e kujtojmë me këtë shkrim. Shtojmë, se ai i përkiste rrethit të dytë (fëmijët) e firmëtarëve të Dokumentit të Pavarësisë, të 28 Nëntor 1912 e, ndoshta ndarja e përherëshme e tij, përbënte mbylljen e atij rrethi e hapjen e atij të tretit (nipat e mbesat). Fati nuk deshi që Vangjo Ilo të zinte një vend nderi në festimet e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Por puna dhe jeta e tij, i kanë rezervuar një vend nderi në mendjet e atyre që e kanë njohur nga afër dhe kanë punuar me të.
Last Edit: 5 years 1 month ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.162 seconds