E Enjëte 22 Qer 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: PERO KAÇAUNI—NJË FOTOGRAF MIDIS DARDHËS DHE

PERO KAÇAUNI—NJË FOTOGRAF MIDIS DARDHËS DHE 5 years 1 month ago #53

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Nga Qerim Vrioni


perokacauni.jpg

Ky shkrim, siç kuptohet dhe nga titulli, bën fjalë për fotografin, Pero Kaçauni, i cili veprimtarinë e tij e ka zhvilluar në skajet e segmentit gjeografik,“Dardhë-Boston”. Pra, ai e ka filluar fotografimin në vendlindjen e tij (Dardhë), një fshat malor shqiptar, dhe ushtruar e përfunduar në një qytet të madh amerikan (Boston, SHBA), atje ku dhe prehet përjetësisht. Kështu, ai fotografoi në dy vende shumë largë njeri-tjetrit, por edhe mjaft të ndryshëm midis tyre.
Për të përgatitur këtë artikull kam pas në krah ndihmën e miqëve koleksonistë, Vangjo Ilo, Sotir Laço, Niko Kotherja, Adriana Stefani-Kuruni. Ndër ta, i pari, Vangjo Ilo, i ndarë nga jeta para pak kohe, me bujarinë e tij tipike, mbetet burimi kryesor i të dhënave të mija mbi Fotografët e Dardhës. Madje, si rrallë koleksionistët (ishte ndër më të njohurit e tyre në vend), më ka ofruar me fisnikëri të rrallë gjithçka kishte dijeni për Dardhën, Fshatin e Fotografisë. Dhe ai dinte shumë për të dhe kishte jo pak fotografi e objekte nga fshati, ndonëse ishte larguar prej tij qysh fëmijë. Me këtë rast, shpreh keqardhjen e thellë për shuarjen e Vangjo Ilos dhe, mirënjohjen e përhershme për të.
Me mbështetjen e dashamirëve të mësipërmë, nisa të “plotësoj” me foto të reja (për mua, se mosha e tyre vërtitet nga 60 në 100 e ca vjet), albumin Kaçauni, fillimisht në folderin e tij në kompjuterin tim, më pas në letër fotografike. Kqyrja me vëmendje e tyre më nxiti të shkruaj këto rradhë për të. Në të vërtetë, për Pero Kaçaunin (bashkë me Thimi Racin) kam botuar para 2-3 vitesh një shkrim me titull “Dy fotografë të hershëm dardharë“, atëhere kisha përpara vetëm 2 ose 3 foto të tij, sot diçka më tepër, por gjithsesi, shumë më pak se krijimtaria e tij e bollshme dhe kohëgjatë. Sidoqoftë, kam bindjen se shqyrtimi me kujdes i tyre lejon të arrihet një “vizatim”, ndonëse jo shterues, i jetës dhe veprës së këtij fotografi. Pero Kaçauni, pamëdyshje është pjestar i dalluar i shejzës së njohur të Fotografëve Dardharë të qintëvjeçarit të parë të fotografisë shqiptare, “kohës së artë“ të saj.
Pero (emri i plotë, Perikli) Kaçauni, është lindur në fshatin Dardhë të Korçës në vitin 1880, ai ishte njeri nga tre djemtë e Jovan Kaçaunit. Ky, punonte si sharrëxhi edhe jashtë vendit, si në Greqi, Rumani e, deri në Rusi, ku përgjithësisht merrte dhe djemtë e tij (Arkivi S.Laço). Në qytetin Odesa (Rusi), Peroja mësoi fotografimin, natyrisht duke filluar punën si çirak në dyqanin (ateljen fotografike) e ndonjë rusi duke vëne në jetë përvojën popullore shqiptare se “zanati (mjeshtëria) vidhet, nuk mësohet”, çka dhe djaloshit tonë i doli për mbarë. Kur mendoi se e njihte fotografimin e mund të punonte i pavarur, në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX, kthehet në vendlindje (Dardhë), ku nisi ta ushtronte mjeshtërinë e re e, disi të veçantë për të siguruar jetesën. Objekt i punës së tij ishin jo vetëm bashkëfshatarët, por edhe banorë të krahinave përreth. Synimi i Peros, ishte që klientët e dyqanit të tij të mbeteshin të kënaqur nga pamjet e tyre të përngrira në letrën fotografike, gjë që do të thoshte më tepër punë e, natyrisht edhe fitime. Dalëngadalë, ai fotografon edhe ngjarje të veçanta në fshat me karakter fetar, shoqëror e kulturor si piknike e shfaqje teatri, Ujin e Bekuar (6 janar), martesa, funerale, lindje, shkrepje të porositura, por edhe të pakërkuara nga personazhet e fotove të tij (Arkivi Vangjo Ilo). Me këto të fundit, pra ato të realizuara për qejf të vet, Pero Kaçauni, natyrshëm, merr statusin e “fotokronistit”, duke u lënë pasardhësve dokumenta pamore ( fotografi) me vlera të paçmueshme historike, shoqërore, etnografike, kulturore etj.
Vlen të përmendim se dardharët, kishin kohë që ishin njohur me fotografinë (dardhari i njohur, Jani Zengo kish fotografuar në fshat rreth 30 vite para Peros), kështu që, pavarësisht nivelit të tyre arsimor, ata nuk e shikonin të trembur e të habitur aparatin. Sikur ishin mësuar me atë lëvizjen prej një ose më shumë sekondash, sa linte fotografi ballafaqimin e subjektit (njerëz a pamje vendore) me pllakën e xhamit që ishte brenda asaj kutisë së madhe që përfundonte me një rrobë të zezë që mbulonte kokën e ustait. Kështu, bashkëfshatarët e Kaçaunit, mundoheshin të qëndronin sa më mirë para aparatit të madh (për kohën e sotme), që rinte mbi një trikëmbësh prej druri, që të kënaqeshin më pas me atë letrën e trashë e të lëmuar që i thoshin fotografi. Gjithsesi, të gjithë synonin të kishin një farë solemniteti të hedhur në letër, në mënyrë të mos u përcillnin të tjerëve hutim a çudi. Ai i njihte mirë bashkëfshatarët e tij, kështu që mundohej të ndehte në letrën fotografike edhe ngjyrime nga psikologjia, karakteri, madje dhe morali, ndonëse porositësit kërkonin të dilnin mirë, ose edhe më mire se sa ishin në të vërtetë. Vlen të shënojme se ai i kryente vet të gjitha proceset e fotografimit dhe të punës në laborator (në mund ta quajmë kështu atë kthinën e vogël e me pajisje primitive), sigurisht me mjaft mund, por me passion. Peroja fotografoi në fshat deri në vitin 1910 (Arkivi V.Ilo). Atë vit, niset për në SHBA, por para largimit kryen edhe një veprim fisnik e të mbrothtë. Pasi i kishte mësuar bashkëfshatarit të tij, Thimi Raci (disa vjet më i vogël), fotografimin, i dhuroi këtij dhe aparatet e tij (Arkvi Sotir Laço). Dhurata e Peros “ngjiti” mirë, fara gjeti tokën e duhur, Raci vazhdoi me sukses fotografimin në Dardhë për rreth 50 vjet. Natyrisht, merita kryesore për “Rastin Raci” i takon Pero Kaçaunit.
Pjesa e veprimtarisë fotografike që Pero Kaçauni ka kryer në Shqipëri, përbëhej nga qindra pllaka xhami, të cilat u dëmtuan pas largimit të tij, por sidomos gjatë L2B, kjo edhe si pasojë e padijenisë të vlerës, sidomos asaj që do tu jepte koha, ndoshta instrumenti më i mirë vlerësues edhe i fotografisë. Ka ndër to, foto me tematika të ndryshme, shoqërore (piknike, festa tradicionale të fshatit), etnografike (veshjet karakteristke dardhare si xibuni dhe mandioja), shfaqje teatrore (Shfaqja “Lufta e Trojës”,1908) (Ark. V.Ilo). Mendohet se sot ruhen rreth 80 pllaka xhami të Pero Kaçaunit. (N.Kotherja-Enciklopedi e Fotgrafëve Koçarë-Tiranë, 2010-faqe14). Gjithsesi, numri i saktë ende nuk dihet me siguri.
Në “Botën e Re” (SHBA), Peroja u vendos në Boston, ku kishte mjaft shqiptarë, madje dhe dardharë, të cilët jetonin në një bashkësi që karakterizohej nga fryma atdhetare dhe e ndihmës së ndërsjelltë. Pas disa kohësh, ai filloi fotografimin duke hapur një studio me aparatura dhe teknollogji të kohës. Pjesën më të madhe të punës në të, ai e kryente me bashkëkombasit, të cilët fotografoheshin edhe për tju a dërguar fotot të afërmve që kishin lënë në vendlindje e, ndoshta për tu hequr merakun e, treguar gjendjen e tyre të mirë ekonomike. Ateljeja e Kaçaunit në Boston emërtohej “Perry Studio 29.1/2 Tremont St. Boston Mass” (Ark. S.Laço). Sipas shkrimtares dhe studjueses shqiptare me banim në SHBA, Rozi Theohari, “Kaçauni, është fotografi i parë me origjinë shqiptare në SHBA” (R.Theohari-Jehona Skënderbejane-Tiranë, 2006-faqe 298), duke qënë kësisoj mjaft këmbëmbarë e, çelur kështu rrugën për figura të tilla të njohura fotografësh shqiptaro-amerikanë, si Gjon Mili, Dhimitër Mborja, George Tames etj.
Disa foto të mërgimtarëve shqiptarë, të realizuara nga Pero Kaçauni, shquhen për psikollogji të veçantë e tërheqëse dhe të mbajnë disa çaste duke i vështruar. Fotografi të tjera të Kaçaunit në mbledhje të ndryshme të “Vatrës”, kanë edhe vlera të tjera, sepse paraqesin me vërtetësinë e ftohtë e të pakundërshtueshme të fotografisë, pjesëmarrësit në forumet e këtij organizimi atdhetar edhe kur nuk gjenden dokumenta përkatëse të shkruara, si regjistra a lista. Ai mbahet si fotografi i parë i lindur në Shqipëri që ka lëvruar edhe të quajturin “portret amerikan”, ku njeriu fotografohet nga gjuri e sipër. (N.Kotherja, libër i cituar, faqe 15).
Një foto e tillë është ajo që pasqyron Degën e Bostonit të Federatës Pan-Shqiptare, “Vatra” (1912), në qoshen e sipërme të së cilës duket portreti i Fan Nolit, madje kjo mund të jetë një nga të quajturat “polifoto” më të hershme e, që u zhvilluan ndjeshëm dhjetra vjet më vonë. Mjaft foto të realizuara nga Pero në Boston, janë të shpërndara në diasporë, fatmirësisht një pjesë në duar të sigurta dhe të vetdijshëm për rëndësinë e tyre, por ende mjaft pa adresë e, përherë nën rrezikun e humbjes. Ndoshta duhet dhe një ndjeshmëri më e madhe publike për peshën e krijimtarisë së Kaçaunit (madje edhe të fotografëve të tjerë të vjetër shqiptarë), që punimet e tyre të mos mbahen në vende të papërshtashme, që me rrjedhjen e kohëve, të prishen e kthehen në letra pa asnjë vlerë. Këto fotografi duhet të shohin dritën e diellit, që përgjithësisht, janë ekspozitat, albumet, kataloget e librat që ato të kryejnë detyrën e krijuesve dhe të shpalosin vlerat që u a ka pranuar koha.
Pero Kaçauni, është ndarë nga jeta në Boston në vitin 1949. Ai, edhe me këtë pjesë të vogël të fotografive të tij të gjetur deri tani, ka vend në Historinë e Fotografisë Shqiptare.

Qerim Vrioni, Michigan (SHBA), nëntor 2011
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.325 seconds