E Enjëte 25 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: THIMI RACI- NJË FOTOGRAF I DALLUAR I TRADITËS

THIMI RACI- NJË FOTOGRAF I DALLUAR I TRADITËS 5 years 2 weeks ago #52

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Nga Qerim Vrioni

thimiraci01.jpg


Këtë shkurt, në datat 2 dhe 4, mbushen përkatësisht, 45 vjet nga shuarja dhe, 125 vite nga lindja e Thimi Racit, fotografit të vjtër e të shquar dardhar. Përbën një detyrim e, po ashtu një nder përkujtimi i jetës dhe, sidomos i veprimtarisë së tij në lëm të fotografisë. E, kur thuhet detyrim, kjo ka të bëjë me atë “borxhin” gjithëkohor të pasardhësve për të mos harruar paraardhësit e tyre të dalluar, ata që kanë shtuar qoftë një fjalë në historinë e kombit në përgjithësi, e atë të artit e kulturës në veçanti. Duke pasur bindjen se Thimi Raci i takon atyre njerëzve që u prekën më sipër, po paraqesim një panoramë, ende jo të plotë për figurën e tij.
Thimi Raci është lindur në Dardhë të Korçës, më 4 shkurt 1886 nga një familje e vjetër vendase. Ky fshat, në atë kohë mund të “mburrej” se kish nxjerrë disa breza ikonografësh, punimet (ikonat) e të cilëve stolisnin shtëpi, kisha e manastire në krahinë, por edhe në Greqinë fqinje, madje deri në Rusi (Arkivi V.Ilo). Por Dardha, prej gjysmës së dytë të shekullit XIX, e deri në ditët tona mund të krenohet edhe se ishte dhe është historikisht, fshati i parë në trojet shqiptare që ka lëvruar fotografinë, në saje të një dardhari tjetër të shquar, Jani Zengo (1832-1912). Gjithashtu, fshati dallohej për jetesë të qytetëruar, kjo edhe si pasojë e lëvizjeve të dardharëve në qendra të tjera banimi edhe jashtë vendit, deri në Rusi e SHBA.
Rreth moshës 15 vjeçare, më 1901, Thimi Raci, pasi mbaron pesë klasë të shkollës greke të fshatit, shkon në Rumani (Arkivi Vangjo Ilo). Atje kishte mjaft të mërguar ekonomik shqiptarë, sidomos nga krahina e Korçës. Djaloshi kryen aty punë të vështira fizike, por në të njëjtën kohë atij i kristalizohen dhe shtohen ndjenjat atdhetare, siç ndodh rëndom tek të larguarit nga vendlindja. Për këtë, patën ndikim edhe veprimtaritë që organizonte Shoqëria “Drita” me qendër në Bukuresht e drejtuar nga patrioti, Nikolla Naço, po nga qyteti i Korçës. (Ismet Dërmaku-Nikolla Naço-Korça, Prishtinë, 2000). Në Rumani, Thimi kaloi duke punuar nga mosha e adoloshentit tek ajo e të riut të rritur, por dhe “arshivoi” një përvojë jetësore të vlefshme. Në një letër të koleksionistit Sotiraq Laço (dardhar, tani me banim në Detroit, SHBA,dt.1932), veçojmë disa rreshta ku shkruhet për një takim të tij, rreth vitit 1959, me Thimi Racin, të cilin i ati, Vangjel Lacço, e kishte shok edhe vëllam. Ky i fundit kish dëgjuar një natë më parë në radio Orkestrën Simfonike të Bukureshtit, çka ngacmoi kujtimet e Racit që të shprehet se: ”E kam parë e dëgjuar kur isha atje, megjithëse bileta ishte e shtrenjtë dhe ne paguheshim pak…..u kënaqa, ja, sikur e kam në vesh zerin e instrumentave që luanin me virtuozitet të madh” (Letër e S.Laços, 18.01.2011). Fakt interesant, një djalë i mërguar fshati që kryen punë të rendë e me pagë të lehtë, mbledh të holla për të parë e dëgjuar një koncert simfonik. Mbase për këtë e shtytën ca “shkëndijëza arti” që ndoshta ishin mbrujtur në shpirtin e këtij djaloshi të paarsimuar, për të pëlqyer e ndjerë të bukurën. Më vonë, Thimi mësoj të luaj edhe në violinë vetëm në saje të “veshit për muzikë“, që themi se ishte brenda atyre dhuntive për art që i ishin dhuruar qysh në ngjizje dhe me të merrte pjesë në gëzimet e fshatit, duke ndikuar në shtimin e haresë. Gjithashtu, në këtë suazë, shënojmë se ai “në vitet 1906 ose 1908, luajti si amator në pjesën dramatike “Lufta e Trojës” në Dardhë“(Niko Kotherja-Enciklopedi e fotografëve korçarë-Tiranë, 2010-faqe 15) dhe, “në vitin 1910-13 u çfaq (në Dardhë-shën.im) komedia “Merre ta marrim”, variant që lufton besimet e kota me aktorë Irakli Llaci, Thimi Raci e moshatarë të tjerë…”(Vangjo Ilo-Dardha dhe njerëzit e saj-Tiranë, 2008-libri 2-faqe 49). Megjithatë, fotografia do të ishte ajo fushë, ku do shfaqej më dukshëm sensi artistik i Thimi Racit, ndonëse edhe këtu, jo si fryt i ndonjë kursi apo shkolle të posaçme, por natyrës së tij prej artisti të lindur.
Pas qëndrimit disa vite në Rumani, Raci kthehet në atdhe, ku ushtron për një kohë të shkurtër në Korçë zejen e teneqexhiut (llamarinistit, hekurpunuesit-sot) të mësuar në mërgim e, mandej shkon në fshatin e tij ku mëson nga Pero Kaçauni (1870-1949) mjeshtërinë e fotografit, i cili kur u largua për në SHBA (1910), i dha dhe të gjitha pajisjet e fotografimit. Një vit më vonë, 1911, në Dardhë kishte një dyqan me tabelën “Thimi Ratsi-teneqexhi dhe fotograf”(Arkivi i S.Laços), kohë kur studio fotografike kishte vetëm në dy qytete, Shkodër dhe Korçë e, jo më në ndonjë fshat. Duhet të kujtojmë se në Dardhë kishte dhe dyqane të tjera shërbimesh si rrobaqepës, këpucar, zdruktar etj, pra ishte si një qytet në “miniaturë“. Fillimisht, Raci, si gjithë fotografët, kohën e harxhonte me fotografimin e komunitetit për raste të veçanta (fetare e familjare) apo kujtimi. Nga disa foto të Racit të periudhës së parë, vërehet përpjekje për të paraqitur subjektet sa më afër natyrës së tyre, kjo dhe me ndihmën e sfondit prej tekstili, të cilin e ndryshonte në përputhje me rastin, gjithmonë me kërkesa për punime të arrira. Madje ai shprehet vetë se :”E para fotografi e mirë që bëra ishte ajo e vdekjes së Papa Naun Zengos (1916)” (Arkivi S.Laço). Nga kjo thënie e tij kuptohet si ai kishte krijuar një farë shkallëzimi cilësor për punimet e, kjo kur ai sapo kish filluar të merrej me fotografinë, çka flet për kërkesa jo vetëm teknike, por dhe artistike. Me të vërtetë fotoja që po shqyrtojmë, është kuadruar mjaft mirë, pjesëmarrësit në funeral formojnë një diagonale (të katërkëndëshit të fotos) që niset prej këndit të sipërm, majtas dhe, zbret drejt anës së djathtë. Në fotografi, përgjithësisht, vijat diagonalenga ana estetike, shpërfaqin a simbolizojnë zhvillim e lëvizje, këtë në foton tonë ta çon në mendje edhe grupi I fëmijëve që përfaqëson zëvendësimin, lpvizjen e jetës, ata që do vijnë më pas. Po ashtu, në foto, grafikisht, nuk ka “heshtje varri”. E gjetur është dhe pema e zhveshur në anën e djathtë, që ekuilibron mjaft ngarkesën e madhe të pjesës së majtë. Ndoshta, për këtë s’ka punuar gjatë mendja e fotografit, po intuita e tij prej artisti, që ka vendosur ku të qëndroj dhe ç’farë të fusi brenda objektivit të aparatit. Dikush tjetër, mund të fotografonte pamjen frontalisht dhe fotoja të kishte vlera dokumentare (siç i ka dhe kjo), por jo dhe artistike si e Racit.
Ndërkohë, ai fotografon edhe në fshatra të tjerë si në Drenovë, Boboshticë, Sinicë, Qytezë etj (Gazeta “Përpara”-Fotografë dardharë të traditës-nga V.Ilo dhe K.Balli-17.12.1988)n). Gjithashtu, vlen të shënohet se ai, vazhdon të fotografoj “për qejf” edhe peizazhe, ngjarje e portrete të paporositura (pra të papaguara), që e përmirësuan nivelin artistik të “shkrepjeve” të tij dhe sollën ngjitjen e Racit në një shkallë më të lartë se fotografë të zakonshëm e pa kërkesa artistike. Fotoja “Shkolla e Dardhës” e vitit 1935, tregon se ai, nga përvoja vetjake, kishte arritur të realizonte peizazhe urbane në një nivel mjaft të pëlqyeshëm. Kësaj fotoje, mendoj se mund t’i vesh posht emrin e ndonjë peizazhisti të njohur pa ngjallur habi tek shikuesi. Ai ka gjetur pikën e marrjes më interesante, duke i gërshetuar mjaft mirë objektet kryesore të fotos, si shkolla, muri, dy pemët, kisha, kodra. Ndonëse, në oborin e shkollë nuk shihen nxënësit, fotoja me shpërndarjen grafike të objekteve, nuk flet për qetësi, edhe pse syri i shikuesit lëviz pa qëndruar kund. Edhe shpërndarja e bardhë e zisë në foto është e ngrohtë për syrin, pa kontraste të forta dhe me ekuilibër të gjetur dinamik.
Dy foto të tjera të goditura të Racit janë edhe “Peizazh nga Dardha”(1935) dhe “28 Nëndor 1937”. Në të parën pasqyrohet pamja e përgjithëshme e fshatit nga një kodër, si të ishte fotografuar nga ajri, ndërsa e dyta dokumenton festimet e Ditës së Madhe të 28 Nëndorit edhe në një fshat të largët malor. Kur e sheh foton e dytë në padijeni të datës, mendon se paraqet një shkollë qyteti rreth 2-30 vjet më parë, e jo mbi 70 vite të shkuara. Kjo foto ka vlera dokumantare dhe historike.
Ndërkohë, Raci fotografon ngjarje jo vetëm të fshatit, por edhe të krahinës, dasma e funerale, pikniket e shumta karakteristike dardhare, si dhe ditë të shënuara pagane e fetare, ku shpaloseshin veshjet origjinale të Dardhës si xibuni i grave dhe mandio e burrave. Ai ka fotografuar disa here, në largësi kohore prej shumë vjetësh, gratë e fshatit me veshjet karakteristike, duke hequr të famshmen “Vallen e Dardhës”, foto që janë shtypur edhe si kartolina e qarkulluar në vend dhe jashtë. Përpos, punës me njerëzit e zakonshëm të fshatit dhe krahinës, Raci “me aparatin e tij ka fiksuar figura atdhetare si Sotir Peci e Hilë Mosi, dëshmorë të Luftës Na-Çl, luftëtarë të çetave atdhetare etj. (Gazeta “Bashkimi”-Një fotograf i vitit 1908-nga Rinush Idrizi-13.08.1984). Po ashtu, atë e tërhiqnin edhe objekte të veçanta si ura, shtëpi të ndryshme nga të tjerat, ndonjë rrugë fshati etj. Nga ana teknike, Thimi Raci, ka përdorur aparatin me pllaka xhami të vendosur mbi trekëmbësh. Aftësia e fotografit që punonte me to, qëndronte edhe në përcaktimin e saktë të kohës së ekspozimit të imazhit. Kjo arrihej duke e hequr kapakun e objektivit dhe duke e mbajtur hapur atë për aq sekonda sa mendonte fotografi se ishin të nevojshme për një foto të pastër. Fotot e Racit, tregojnë se ai, e kish arritur gjetjen e kohës optimal të ekspozimit të fotografive, në saje të përvojës dhe aftësive të tij. Thuajse, të gjitha fotot e tij janë në bardhëe zi, fare rrallë ai përdor sepjen. Po ashtu, mesa dallohet në punimet e Racit që kemi shqyrtuar, ai nuk prek kontrastet tonale gjatë stampimit, duke shtrirë në letër ato të natyrshem të çastit të shkrepjes.
Prurja tërësore e Thimi Racit, shumica e të cilës ndodhet ne pllaka xhami ne Arkivin e Shtetit, ngërthen gjithë historinë 5-60 vjeçare të Dardhës, trajtuar me syrin e një fotografi të lindur siç ishte ai, madje dhe të një njeriu miqësor e mjaft dashamirës. Me fotot e tij është botuar më 1938, albumi turistik “Dardha”, i shoqërive dardhare “Bashkimi” në Bukuresht dhe “Shpresa”në Dardhë, nën patronazhin e Entit Kombëtar të Turizmit. Ballina e albumit që paraqet një vajzë me veshjen tipike të fshatit, është krijim i piktores së njohur Androniqi Zengo (Antoniu) (Albumi fotografik “Dardha”-Tiranë, 1938). Aty vërehet aftësia piktorike e Thimi Racit për realizimin e fotografive interesant e tërheqëse të fshatit.Thuajse, të gjitha punimet fotografike të Racit, u dorëzuan në Arkivin e Shtetit, shumica në pllaka xhami (thuhet se janë rreth 2000 copë), ndërsa aparatet fotografike iu falën Muzeut Historik Kombëtar. Shumë foto gjenden të shpërndara në njerëz të ndryshëm jo vetëm nga Dardha, por edhe nga qytete e fshatra të tjerë. Do ishte një punë vërtetë e lavdërueshme, hedhja në letër fotografike e pamjeve të pllakave, si dhe mbledhja e fotove të përhapura andje-këndej. Atëhere, mund të paraqitej e plotë vlera e fotografisë së realizuar nga Thimi Raci.
Gjithashtu, duhet theksuar atdhedashuria e tij, “ai ka qënë aq patriot sa të dy fëmijët e tij, Lisa dhe Andrea I dërgoi më 1917, në shkollën e parë shqipe me hapjen e saj”(Arkivi V.Ilo), si dhe figura e pastër morale e tij, dëshmimi për këtë është edhe caktimi i tij epitrop (ekonomat, financier) i të ardhurave të kishës së Dardhës për një kohë të gjatë.(Arkivi S. Laço). Mjeshtërinë e fotografit Thimi, ja përcolli edhe të birit, Andreas, i cili u muarr mjaft me fotografinë, por pa arritur nivelin e të atit.
Thimi Raci është ndarë nga jeta më 2 shkurt 1996 në fshatin e lindjes Dardhë, ku u përcoll për në banesën e fundit me nderime të merituara nga bashkëfshatarët. Le të jenë këto rreshta si një homazh që i bëhet këtij fotografi të dalluar të traditës shqiptare të “dhomës së errët”
Ndoshta për Thimi Racin shkon shumë thënia e fotografes së njohur amerikane Dorothe Lange se “Nuk është gjë e rastit që fotogrfai bëhet fotograf dhe nuk zgjedh profesion tjetër, ashtu siç nuk është e rastit që zbutësi i luanëve bëhet zbutës i luanëve” (S.Sontag-Fotografia-Tiranë, 2000-faqe 16).

Qerim Vrioni, Janar 2011, Michigan (SHBA)
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.157 seconds