E Enjëte 25 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: Kostika Zdruli - Ne traditat e familjes Zdruli.

Kostika Zdruli - Ne traditat e familjes Zdruli. 3 months 6 days ago #419

  • STEFANI
  • STEFANI's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 50
  • Thank you received: 1
  • Karma: 0
KostikaZdruliMasterSer.jpg


Kostika Zdruli - Nje pjese permbledhese nga punimi i tij per Kenget karakteristike Korcare.


Hyrje

Etnolinguistika, si pjesë e sociollinguistikës është një disiplinë gjuhësore e cila mori zhvillim në gjysmën e parë të shek XX me studimet e gjuhëtarëve amerikanë B. Ëorf E. Sepir dhe më pas u përhap në Evropë e më tej.
Duke iu referuar librit të parë të sociolinguistikës së shqipes nga prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj sociolinguistika është disiplina gjuhësore që e studion gjuhën jo si sistem abstrakt, por si mjeti kryesor i komunikimit konkret që përdoret nga një bashkësi shoqërore: d.m.th, ajo është disiplina që studion ndërlidhjet midis të folurit dhe shoqërisë. Ajo që e bën sociolinguistikën të jetë një disiplinë e pavarur gjuhësore është e vërteta se sociolinguistika është disiplina që studion larminë dhe diversitetin e gjuhës, që varen nga katër variabilitete kryersore. Gjuha është e ndryshme dhe ndryshon: në kohë, në hapësirë, në klasat apo në shtresat e ndryshme shoqërore dhe sipas situatave konkrete…detyra e sociolinguistikës s’është tjetër veçse, me një formulim të Joshua Fishmanit, të përcaktojmë se kush flet, çfarë varieteti, të së cilës gjuhë, kur, për çfarë dhe me ç’bashkë folës. Prandaj një shqyrtim sociolinguistik duhe t’u përgjigjet gjithmonë pyetjeve: kush, me kë, kur dhe ku, përse a për çfarë, si .
Mund të themi se në këngët karakteristike korçare, të cilat janë janë krijuar në një hark kohor prej më shumë se njëqind vjetësh nga shkrues të ndryshëm që dallojnë në arsim, profesion dhe në shtresat shoqërore etj, dallohet prania e të tre stileve gjuhësore dhe letrare. Si rrejdhim i kësaj theksojmë se mund të jetë me vend një shqyrtim sociolinguistik, i cili ka si synim të nxjerrë në pah se këngët karakteristike korçare nuk shërbejnë vetëm si mënyrë për argëtim dhe kënaqësi estetike, por ato janë dëshmi e gjallë e gjuhës dhe pasqyrimit të saj në jetën dhe mendësinë e qytetit të Korçës. Si të tilla ato mund të shërbejnë në ndërmarrjen e studimeve më të thelluara në fushën e dialektologjisë dhe sociolinguistikës.
Arsyeja se përse u zgjodh kjo temë studimi është njohja e mirë e një materiali duke qenë pjesë e grupeve të serenatave dhe i korit “Lira”.
Terreni i përshtatshëm më ka ndihmuar për të mbledhur materialin në mënyra të ndryshme. Në fillim kam hartuar një pyetësor pikat e të cilit i mbaja mend përmëndësh dhe i plotësoja duke i dhënë drejtim bisëdës së lirë me interpretuesit e këngëve, të cilat (bisedat i kam rregjistruar me mjete dixhitale). Pas disa intervistash krijova një ide të përgjithshme rreth këngës, natyrës së mjediseve ku këndohen ato dhe një lloj klasifikimi të këngëve sipas brezave që i këndojnë dhe sot. Mjediset familjare dhe puna ime si instrumentist e këngëtar nëpër lokale të ndryshme të qytetit të Korçës, së bashku me këngëtarë që këndojnë muzikë “bio-serenatë” siç ka filluar të quhet kohët e fundit, më ka ndihmuar që të krijoj një fond të madh të këngës karakteristike korçare. Tekstet e nxjerra prej regjistrimeve i kam shoqëruar me skedën përkatëse në të cilën kam shkruar emrin, moshën arsimin dhe profesionin e informatorëve. Pas kësaj faze e kam pasur më të lehtë skedimin e materialit për të nxjerrë tiparet dialektore dhe dukuritë etnografike e sociolinguistike, të cilat i kam grupuar dhe kam ndërtuar çështjet e kërkimit. Analizën e të dhënave e kam shoqëruar me literaturën gjuhësore duke arritur në përfundimet dhe përgjithësimet përkatëse.


SFONDI HISTORIKO-KULTUROR

Sa herë ndodh që flitet për qytetin e Korçes, për traditat kulturore të tij, është e pashmangshme të mos flitet për këngën karakteristike të tij.
Ashtu si të gjitha trevat e Shqipërisë dhe Korça së bashku me rrethinat e saj, ka këngë popullore të gjinisë epike e lirike. Ndërkohë ajo ka dhe diçka tjetër të veçantë, këngën karakteristike korçare.
Nëse i referohemi termit “këngë karakteristike” ai nënkupton këngën, që u bë e tillë, falë mënyrës si u përshtat melodia apo kënga e huaj në mjedisin korçar, se si ajo vazhdoi të rishkruhej apo transformohej nga vendasit duke i përshtatur (në disa raste) kësaj kënge karakteristike elementë stilistikë, melodikë, harmonikë, strukturë, metrikë të traditës folklorike e qytetere si dhe të karakterit patriotik vendas.
Përse kjo këngë mori një zhvillim kaq të gjerë në Korçë dhe jo në një qytet tjetër? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet t’i referohemi zhvillimit të muzikës në këtë trevë, duke pasur parasysh zhvillimin e vetë qytetit dhe kulturës së tij.
E. Koço thekson se: “Fakti që këngët korçare janë kaq të përhapura e janë bërë kaq të dashura për njerëzit, lidhet ngushtë me mjedisin ku ato morën jetë. Korçarët jashtë dhe brenda vendit, përqafuan traditën e huaj muzikore dhe ia përshtatën atë kulturës së tyre”.
Në fillim të shekullit XIX, Korça ishte një qytet i vogël, që sapo kishte filluar të merrte një zhvillim të drejt qendre të urbanizuar. Përparimi i saj, u bë më i dukshëm fillimisht pas shkatërrimit të Voskopojës së kulturuar, e cila u dogj për herë të parë në 1769 dhe sidomos vrasjes së Ali pashait dhe rënies së pashallëkut të Janinës më 1822. Në Korçë rrugët ishin të ngushta por të pastra. Një rrugë vetëm ishte e gjerë, ajo kryesorja e cila shkonte përmes qytetit për në drejtim të Manastirit, Kosturit dhe mbërrinte në Selanik. Kjo pra, ishte rruga kryesore, që lidhte qytetin e Korçës me gjithë botën dhe qytetërimin e saj… Qysh në këtë kohë, qyteti i vogël i Korçës karakterizohej nga etja për arsim e kulturë, për përparim e mbrothësi, pra për emancipim qytetar. Ndërkohë po shfaqeshin edhe shenjat e para të ikjes në kurbet, veçanërisht në Vllahi të Rumanisë, në Egjipt në Austro-Hungari e gjetkë. Kurbeti solli largimin e mjaft njerëzve në dhé të huaj, por nga ana tjetër solli një sërë dukurish positive për qytetin dhe banorët e saj. Kështu, në Korçë dhe zonat përreth u rrit mirëqënia; njerëzit filluan të rronin më mirë, të pasuroheshin, kulturoheshin dhe të rritnin kërkesat për jetën, dhe për rrjedhojë, dhe kërkesat për muzikë dhe argëtim. Muzika asokohe me sa tregojnë pleqtë, ishte fare pak e zhvilluar dhe njerëzit argëtoheshin me këngët karakteristike të vendit (popullore, shënim i imi) ato të dasmave, të qejfeve të tjera, dhe të pakta vegla muzikore që pëedoreshin, thonë të vjetrit ishin buzuku, dajreja, fyelli”
Rinia luajti një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës. Nga mesi i shekullit të 19-të ndjenjat muzikore filluan të zhvillohen dukshëm e kjo veçanërisht te rinia qytetare korçare e cila kish filluar dhe të shkollohej. Kështu filluan të krijohen grupe shokësh të quajtura në gjuhën e kohës “paré”(gr.shoqëri)…Jo rrallë “parétë”, mblidheshin vetëm për qef pa asnjë shkak, siç vazhdon të thuhet dhe sot, herë pas here bënin ndonjë “mbledhkë”
Siç vë në dukje V. Ballauri: “Me zhvillimin e mëtejshëm dhe me krijimin e shtresës së intelektualëve, në qytetin e Korçës, filloi të rritej edhe kërkesa cilësore ndaj muzikës qytetare. Kjo u bë e mundur, veçanërisht pas hapjes së gjimnazit grek (më 1856) ku vinin edhe mësues të huaj, sidomos grekë nga Athina. Këta, veç të tjerave filluan të sjellin edhe muzikën e Evropës dhe sidomos shumë këngë të bukura të tipit “qefalonika” Në këtë periudhë filluan të hyjnë edhe instrumenta të tjera muzikore si mandolina, kitara, flauta, etj. Kjo pati gjithashtu edhe grupet e veta të këngëtarëve dhe muzikantëve ndër të cilët mund të përmendim: doktor Filip Rotën, Llambi Kotën, Spiro Bimblin etj. Po në këtë periudhë, filluan të krijohen dhe këngët qytetare korçare, shqip, me ndjenja kombëtare e dashurie, me muzikë që buronte prej frymëzimit të popullit. Mjaft nga këto këngë vinin prej Vllahie dhe Bullgarie, ku rronin e begatonin kurbetlinjtë korçarë. Shumë këngë të kësaj periudhe këndohen dhe sot si p.sh: “Lule e bukur”, “Varka po niseshe” etj.
Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, pra në kapërcyell të dyqindvjeçarëve, grupet e këngëtarëve zunë të organizohen më mirë, duke futur në formë eminente në ansamblet (grupet) e tyre muzikore, mandolinën, gjë e cila solli kështu krijimin e “mandolinatave” . Në këtë mënyrë, grupe këngëtarësh zunë të grumbullohen në shoqëri me ndikime kulturore të ndyshme, gjë që krijoi mundësi edhe për organizime më të mira. Në këtë kohë u krijua shoqëria me frymëzim kulturor grek që quhej “Anagjenisi” e tipit mandolinatë, banda muzikore “Ta Patria”, po e këtij tipi dhe me këngë korale si dhe shoqëria e Komitetit Shqiptar “Lira”, me kor dhe “Bandën e Lirisë”. Shoqëria “Liria” këndonte këngë patriotike shqiptare, këngë dashurie me melodi italiane dhe shpesh edhe me melodi të kompozuar prej shqiptarësh. Gjithashtu duhet theksuar se në këtë kohë erdhën në Shqipëri edhe shumë atdhetarë të tjerë nga Amerika, të cilët sollën me vete shumë këngë të bukura shqip të kompozuara në kurbet. Ata sollën në atdhe edhe mjaft vegla muzikore të cilat i përdornin me mjeshtëri, duke lënë mbresa të thella tek korçarët e asaj kohe.
Mund të thuhet se në tërë Turqinë Evropiane të asaj kohe (fillimi i Luftës së Parë Botërore), Korça zinte një nga vendet më të shquara në drejtim të lëvrimit të muzikës. Korçarët dalloheshin për “kantadhat”, të cilat i këndonin të gjithë, fukarenj e nikoqirë, të varfër e të pasur, punëtorë e intelektualë të cilët qe e pamundur të mos kishin ndonjë vegël muzikore. Të gjithë bëheshin “pare-pare” dhe në netët e freskërta të pranverës e gjithë beharit, buçisnin këngët, meloditë e qyfyret korçare. Nëpër sokakët e Korçës së bukur, mbrëmjeve këndoheshin serenatat prej zërave më të zgjedhur të “paréve”. Këngë dashurie e trimërie, kurbeti e atdhedashurie, historie e melankolie, dëgjoheshin deri në orët e vona të mbremjes.
Tradita e “paréve” vazhdoi me atë të serenatave, si formë e re popullore argëtimi në Korçë e disa fshatra përreth. Duke filluar nga mesi i Luftës së Parë Botërore, në vitet 1916-1920, filloi të zbehet ai lulëzim e spontanitet muzikor i paréve, i ndërtuar mbi marrëdhëniet me kulturat e huaja, si: greke, amerikane, rumune etj, që e kishin orientuar qytetin drejt një vizioni më kozmopolit. Megjithatë, themelimi i Liceut Francez (1917), ku personeli pedagogjik francez do të luante rol më rëndësi në jetën kulturore të Korçës, i dha një tjetër kahje perëndimore këtij qyteti. Po në këtë vit në Korçë ishin vendosur trupa ushtarake, veç atyre shqiptare edhe të katër vendeve të huaja (Francës, Italisë, Greqisë dhe Austro-Hungarisë), të cilat synonin kontrollin e qytetit. Trupat franceze qenë ato që mbizotëruan. Pushtimi i territorit shqiptar nga francezët nuk u mor për keq nga korçarët. Sipas Sëire: “francezët përhapnin aspiratat greke dhe serbe” . Një pjesë e mirë e mësuesve francezë të Liceut, të cilët luanin në instrumente klasike muzikore, u integruan më së miri dhe u bënë mjaft aktivë në jetën muzikore të Korçës. Pa dyshim që periudha më e ndritur në zhvillimin e muzikës në Korçë në gjysmën e parë të shekullit të XX, është ajo që lidhet me ardhjen e Thoma Nasit dhe bandës “Vatra” nga Amerika.
Që nga shekulli i 19-të e deri në vitin 1920 në Korçë kishtë shumë shoqëri e grupe të vogla artistike, teatrale e korale, por jo të organizuara. Në vitin 1920 djelmuria korçare, në sajë të çeljes së Liceut Francez nga viti 1917, që dha një ngritje kulture, edhe me dirigjentin e bandës kombëtare “Vatra”, Thoma Nasi, krijuan “Shoqërinë e Arteve të Bukura” (në shumë shkrime njhet dhe me emrin “Lyra”). Qëllim i saj ishte të punuarit me bashkim për përhapjen e muzikës në popull. Gjithashtu, shoqëria “Lyra”, nuk mungonte në serenatat e ëmbla korçare dhe në ekzekutimin e “kantadhave” të ndryshme.
Grupet e serenatës, ishin të shumta. Ato përbëheshin nga të rinjtë të cilët këndonin mbrëmjeve nëpër rrugë ose nën dritaret e vajzave. Këtë e gjejme të shprehur dhe në vargjet e një kënge “çapkënë si ne jo nuk gjenje/ më kot nuk na quanin të marrë/ mjafton që një vajzë ta pëlqejnë/ dhe hop në dritare me kitarë”. Secili grup kishte repertorin e vet, mes tyre kishte bejtexhinj që krijonin dhe në mënyrë spontane tekstin dhe muziken.
Krijimi i repertorëve u bë fillesë e përshtatjes së poezive të poetëve të mëdhenj shqiptarë, kryesisht të Rilindjes Kombëtare, por u dha udhë dhe krijimeve poetike enkas për këngë të këtij tipi. Tekstet përmbanin tematika shoqërore e patriotike. “Këto këngë u shkruan mbi vargjet e poetëve dhe shkrimtarëve patriot, si N. Frashëri, Th. Mitko, Asdreni, M. Grameno, F. Konica, H. Mosi dhe mbi krijimtarinë e autorëve të tjerë si Gjerasim e Parashqevi Qiriazi, K. Tromara, K. Floqi, Th. Floqi, N. Kreshpani, S. Ilo, P. Garo, L. Llogori, G. Katundi, A. Asllani, R. Qyteza, Th. Avrami, A. Mano, R. Harxhi, Dh. Mole, A. Shkaba etj, për t’i bërë ballë mësymjes së përditshme të asaj errësire që pushtimi i egër otoman kishte hedhur për shekuj të tërë”.
Njëri prej tyre ka qenë Petro Dula, një humorist e këngëtar i madh, këngët e tij këndoheshin në popull. Këngët ai i thurte karshi shokëve që hanin e pinin, për të zotin e mejhanes, për kuzhinierin, çmimin e pjatës së gjellës e shumë e shumë të tjera. Kishte dhe grupe të tjera që këndonin këngë e serenata të bëra vetë nga grupi, një prej të cilave ka qenë grupi “Trëndafili i kuq”.
Duke u nisur nga tekstet e këngëve mund të bëhet një klasifikim të këngëve sipas tematikës që trajtojnë. Janë pikërisht tekstet që u dhanë një fytyrë të veçantë muzikore këngëve karakteristike korçare.
Kështu, sipas kompozitorit Josif Minga, në fillim ishte poezia që kishte rëndësi dhe melodia mund të huazohej nga çfarëdo kulture, mjaft të përshtatej me informacionin dhe atmosferën emocionale të poezisë.
Embrioni fillestar i tyre fillon te motivet patriotike, që lidheshin me jehonën e problemeve të kohës për liri e pavarësi. Motivi patriotik krijon sfondin bazë në këtë repertor. Këngë të tilla luftarake dhe patriotike, si: “Për mëmëdhenë”, “Shqipëri, mëmë Shqipëri”, “Vlora, Vlora” etj., si tekst e si muzikë janë këngë tipike emocionale masive, ku drejtpërdrejt trajtohet çështja e madhe e lirisë, me një koncizitet të plotë mendimi, me ton serioz, pa bujë e pa teprime. Këto këngë u bënë një forcë prezantuese muzikore e mendimit patriotik të kohës. Të një lloji e karakteri emocional tjetër janë këngët liriko-patriotike. Ato u krijuan ndoshta afër të parave, si pasojë e të shprehurit më intim të ndjenjave patriotike, në shumicën e rasteve të frymëzuara nga vetë tekstet liriko-narrative, ku atdheu, Shqipëria vjen e ëndërruar e lirë, plot bukuri dhe romantizëm të çiltër. Të tilla këngë janë: “Nënë Skënderbenë”, “Dua më shumë Shqipërinë”, “Kur kullosin shqerkat”, “Burimi i çardhakut”, “Kënga e mullirit” etj. Një tjetër lloj i këngëve të korit “Lira” është padyshim kënga liriko-erotike, që shfaqet me variante dhe lloje nga më të ndryshmet. Aftësia për t’i kënduar ndjenjës së dashurisë vjen e ngrohtë me tipare komunikuese, gjithnjë e parë në prizmin shoqëror, ku çmohen virtytet e mira dhe të shëndosha, si: “O moj korçare”, “O moj ti me sytë zinj” etj. Një meritë në pasurimin e repertorit të kësaj gjinie është dhe fuqia karakteristike, gjetjet origjinale të qytetit tonë me vetitë e botës lozonjare, pse jo edhe shoqërore për probleme të caktuara, si: “Kur vjen behari dhe qershitë”, “Drenovarja”, “Dëbora zbardhi malet” etj. Në këtë këndvështrim u lind dhe u zhvillua edhe kënga humoristike. Qëllimi nuk fshihet, përkundrazi merr fuqi, shfaqet hapur kundër praktikave e veseve të këqia të shoqërisë të thëna me një humor dhe ndjenjë tolerante. Këngë si: “S’kam ç’e dua pasurinë”, “Bëmë zonjë dhëndërë”, ironia nuk ndërtohet tek ajo që s’e kap dot, por tek ajo që s’e merr dot. Të gjithë këta shembuj sqarojnë qartë dhe bukur pozicionet groteske të këtyre këngëve, lëngimet qesharake, saqë dhe sot këndohen po aq të gjalla në mjediset familjare në ditë të zakonshme e ditë gëzimesh. “E vërteta është se të gjitha materialet e këngës dhe teksteve liriko-intime janë të lidhura me problemet shoqërore, madje të kërkuara dhe të ndërtuara në raport me të. Herë pas here ato janë ndërtuar më njëra-tjetërn për përmbajtjen dhe konsolidimin e repertorit të këtij kori”
Pas çlirimit ato u rikthyen përsëri në rrugët e qytetit të Korçës duke u bërë simbol i dashurisë së të rinjve. “Kaq u mësua qyteti në ato vite me “serenatat”, sa thoshin, që edhe në familjet më fanatike, nëse nuk i bëhej serenatë vajzës së tyre, ndjenin një shqetësim të pa treguar, me mendimin, se përse vajza e tyre të mos ishte e denjë qoftë edhe për një serenatë?!”
Këto serenata morën një zhvillim të metejshëm. Për këtë zhvillim flitet pak ose aspak në shkrime e botime.
Kohët tashmë kishin ndryshuar ashtu si dhe sistemi politik. Jeta shoqërore kishte marrë drejtime të reja. Punishtet artizanale po ktheheshin në ndërmarrje shtetërore, vajzat dhe djemtë ishin më të lirë për t’u takuar, pavarësisht se lidhjet e tyre nuk u shpëtonin prindërve. Ndërkohë në jetën e të rinjve po shfaqeshin element të rinj të jetesës. Jeta e gjimnazit, aksionit, ushtrisë, puna në ndërmarrje, vazhdimi i fakulteteve solli tema të reja. Dashuria me shikime, e shenja tani bëhej nën strehët e shtëpive: “Në njërën prej strehëve,/ të një prej shtëpive,/ vështronim të heshtur,/ ne pikat e shiut,/ dhe lehtas fytyrën,/ ja merrja në duar,/ dhe buskat e njoma,/ ç’ja puthja nxituar.”
Në këto këngë vihen re ndryshimet në nivelin arsimmor të popullsisë dhe punësimit që prej viteve ’30 e deri pas çlirimit:
“Të rashë pas, por ti më le,/ rrugës kur shkonje për në Lice./ Të rashë pas por ti më ike,/ rrugës kur shkonje pedagogjike,/ të rashë pas, moj të rashë pas,/ rrugës kur shkonje për në gjimnas/ të rashë pas, moj të rashë pas,/ rrugës kur shkonje për në Propas ”
Duhet theksuar se nëse para çlirimit muzika sillej nga jashtë, prej emigrantëve, në këtë kohe luajti një rol shumë të madh radioja. Shumë këngë dëgjoheshin dhe përktheheshin nga italishtja e greqishtja. Por shpesh prej tyre merrej vetëm melodia dhe teksti përshtatej ashtu siç e kemi thënë dhe më sipër. Është koha kur filluan të shfaqen në kinema filmat “Dëgjoni këngën time”, “Qielli i lumturisë” etj, muzika e të cilëve ishte shumë romantike, e përshtatshme për këngë dashurie. Është koha kur shkruan e kompozuan këngë të reja Ligoraq Qano, Taqkë Karmeni, Pirro Visari, Ilia Vinjau, Mihallaq Andrea etj. Përsëri serenata mori një zhvillim me hapin e kohës. Pikërisht në këtë kohë kjo lloj këngë pati ndërprerjen e dytë.
“Serenatat ishin ndaluar në vitet ’60 të shekullit të XX, ashtu, pa ndonjë shpallje. Mjaftoi një “urdhër” i dalë nën zë nga KP së rrethit dhe të rinjtë nuk qarkulluan më netëve të verës nën tingujet e kitarës a të mandolinës”
Ato u ndaluan dhe një diçka e çmuar iu hoq qytetit të Korçës. Disa thonë se me fillimin e turnit të tretë të punës, njerëzit ishin të lodhur dhe ankoheshin. Të tjerë thonë se arsyet ishin politike. Megjithatë ndërprerja e tyre u bë në mënyrë formale, sepse kënga vazhdoi në grupet e të rinjve dhe u pasurua me motive të kohës. Temat e përmendura më sipër nuk mjaftojnë, por ato kërkojnë një trajtim të veçantë që nuk është pjesë e qëllimit të këtij punimi. Ata filluan të takoheshin mbrëmjeve duke kënduar: “Ajde, ajde në dymbëdhjetë,/ kur mamaja babai fle”
“Ora dymbëdhjetë e natës, një guriçkë mbi çati,/ e gjith bota kan’ zën’flenë,/ ti akoma bën dashni”
Pas viteve ‘90 serenatat filluan të këndoheshin përsëri gjerësisht, të inçizoheshin, e të bëheshin albume me to. Në frymën e tyre pati dhe krijime të reja. Përdorimi i gjerë i tyre tyre solli transformimin e tekstetve, melodive. Sot serenata është më e dëgjuara në Shqipëri, por dhe më e keqperdorura. “Ne u përpoqëm ta ngjallnim përsëri serenatën-thotë Spanja Pipa-por të tjerë e prishën atë”.


FORMULAT E URIMIT DHE MALLKIMIT SI SHPREHJE ETNOGRAFISË TË TË FOLURIT TË QYTETIT TË KORÇËS

Në këngët karakteristike korçare spikatin dhe formulat e urimit dhe mallkimit. Duke pasur parasysh se tekset e këtyre këngëve kanë si tematikë atdheun dhe detyrën, por dhe dashurinë mes të rinjve te këto këngë janë të pranishme elementët e shprehjes emocionale që lidhet ngushtë me formulat e urimit dhe të mallkimit. Nëpërmjet tyre, te këngët patriotike shprehet dëshira për lirinë dhe “lulëzimin” e atdheut dhe urrejtja për pushtuesin, ndërsa tek këngët lirike, shprehet dashuria e të rinjve.
Kur flasim për dashurinë, shpesh herë tek këto këngë duhet të kemi parasysh dhe tradhëtinë, urrejtjen dhe dhimbjen e shkaktuar prej saj. Të gjitha këto sjellin shprehjen e gjendjes shpirtërore dhe dëshirave, që vijnë më pas ndaj të dashurishurës (shpesh herë i drejtohen të dashurit kur krijuesja ose këngëtarja është femër, ose kur dikush e identifikon veten me personin në këngë ).
Pavarësisht se shprehja e gjëndjes shpirtërore e më pas dëshirës, tek këto këngë del në mënyrën lidhore e urdhërore, shpesh duke renditur disa folje në të njëjtën mënyrë , e shpesh në formë pyetjesh, ajo del dhe në formën e urimit e mallkimit, por për shkaqet e më sipërme ato janë më të pakta.
Kryesisht formulat e urimit dhe mallkimit përdoren tek këngët lirike dhe shumë pak tek këngët patriotike. Tek këngët patriotike kemi gjetur vetëm: Shqipëri mëma Shqipëri/ ty të qofshim falë .
Tek lirike hasen mallkime të cilat vinë pas një veprimi që ka kryer personi mbi të cilin bie mallkimi: o moj Marika të rëntë pika/ ç’i bëre djalit e zu oftika; shpesh mallkimi bëhet si pasojë e mosrealizimit të një dëshire: në mos shijofsha k’të gëzim/ që shfaq fytyra jote/ u shoftë drita e syve të mij/ nga faqe kësaj bote.
Shpesh formulat e mallkimit, pavarësisht konotacionit negative, në të vërtetë nuk kanë qëllime dashakeqë, si: dashuria më ka fikur/ mendohem nat’ e dit’/fëllëza e ikur të shtënça në kuvli. Më tepër shprehet dëshira për ta pasur përsëri ose për ta zotëruar vajzën dhe dashurinë e saj. Përdorim tjetër i këtij lloji, është dhe mallkimi me pasthirmën plaç: se bota na kan’ aset/ plaç, me gojë pse s’më flet. Këtu folja plaç nuk ka kuptimin e vërtetë të saj “vdeksh”, “ngordhsh” . Përdorimi stilistik synon që djali të marrë vesh arsyen përse vajza nuk flet.
E njëjta gjë ndodh dhe në raste të tjera, në variante të improvizura në çast e që më pas kanë marrë një përdorim të gjerë, si p.sh vargu “në ke vendosur vajzë të më lesh më thuaj që s’të dua” shpesh është zëvendësuar me vargun që mbart një mallkim: në ke vendosur vajzë të më lesh /o në djall në djall të vesh/ djal’ më të mirë se unë z’do të gjesh o në djall në djall të vesh. Pikërisht këtu spikat krenaria burrërore e djalit, siç thuhet shpesh “vajza ka boll”. Por ka edhe raste kur mallkimi përdoret me kuptim të drejtpërdrejtë si një lloj hakmarrjeje ndaj vuajtjeve që i ka shkaktuar dashuria, si: pa gëzim e kalfosh rininë
Urimet janë më të rralla në formën e formulave të gatshme, shumica e tyre janë në rrugën e formimit të tyre si formula urimesh. Urimi i mirëfilltë , përmend një dëshirë të mirë që ende nuk është realizuar, por që i shprehet paraprakisht pritësit për t’i shprehur kështu mbështetjen, dashurinë, nderimin etj Në këngët karakteristike korçare spikat dëshira për përgënjeshtrimin e fjalëve që qarkullojnë për ndarjen e të rinjve mos qoftë e thënë ajo që flet ti dashuron një tjetër. Dëshira për ta parë të dashurin ose të dashurën të lumtur edhe pse nuk do të jenë më së bashku. Në këtë rast përmendim urimin “të trashëgohesh” ose “të trashëgohen” i cili shprehet nga të afërmit ose të njohurit, por në këngë e gjejmë dhe në gojën e vet ish të dashurit: por siç më thanë shoqkat/ ti së shpejti do martoesh/ mezi pres te vijë e djela/ të të them të trashëgoesh. Urime të tilla gjejmë dhe për kalimin e një jetë të mirë pa trishtim dhe jetë gjatësi: urimet i çoj un’ asaj prej Perëndisë që kurrë trishtim mos pastë prej dashurisë; Zoti të mbushtë dëshirënë /sa të jetë bota rofsh tinë.


TOPONIMIA TE KËNGËT KARAKTERISTIKE KORÇARE


Këngët karateristike korçare dallohen sit ë tilla sepse në to vihen re veçori që lidhen me toponiminë që lidhen si me makrotoponiminë ashtu dhe me mikrotoponiminë. Duke u bazuar në realitetin gjeografik e sidomos administrative që shënojnë këngët karakteristike quhen korçare sepse në to toponimia lidhet ngushtë me Korçën dhe rrethinat e saj.
Në pjesën më të madhe toponimet në këto këngë përfaqësohen nga emri i qytetit të Korçës, si: Korça ime e dashur për ty zgjodha/ këngën më të bukur të këndoj; o Korç’ e dashur; o Korça ime sa ja zbukuruar; me dhimbje nga Korça tani un’ po; ik bukevardi i Korçës; oo Korça qyteti i bukur je ti/ adio Korça se unë do të vi përsëri. Pikërisht përdorimi i shpeshtë i këtij oikonimi, por dhe fjalëve të formuara prej saj (o moj korçare) i bëjnë këto këngë të dallohen menjëherë në ngyrimin e tyre lokal. Në shumicën e rasteve oikonimi përmendet si emri i vendit nga i cili largohen dhe ndiejnë mall për të. Fakti që banorët e këtij qyteti kanë emigruar në mënyrë masive, sidomos në vitet ’30 të shekullit XX e identifikojnë oikonimin Korçë me anë të personifikimit, duke i veshur tipare të një njeriu të dashur dhe gjithmonë të bukur deri në adhurim.
Një vend më të vogël zënë mikrotoponimet që lidhen me pikat kryesore të qytetit, si me emërtimet e vjetra, si: në obor të Shën Marisë; në dyqan të Tasit-ë/ karshi Mitropolisë; ashtu dhe me ato të reja, si: a do vish ti nga parku “Rinia”.
Pavarësht se janë këngë qytetare, në to kemi oikonime fshatrash, të cilat i bëjnë këngët me ngjyrime të forta lokale. Përgjithësisht gjejmë emërtimet e fshtrave rreth e rrotull qytetit të Korçës, por nuk mungojnë dhe emërtime të fshatrave në të cilat janë kënduar këngë të këtij tipi dhe më vonë janë bërë pjesë e këngëve korçare: Një dit shkova nga Drenova/ pashë një vajzë të re; të mori ky Pali të shpuri Rëmbec;, ishte ditë e shtunë frynte një very prifti i Ravonikut bënte dashuri; në fush’ të të Starovës/ frynte një furtunë/ prifti i Ravonikut/ i ante qepët shumë; nuse pe Polene dhëndër pe Pojani mbamë dajko mbamë se rashë nga kali; moj syzezë vetullzezë/ moj e ritur në Qytezë; sa vënt i bukur ësht’ Sinica; dy vjet ushtar në Pocestë unë shkova;

U pergatit nga Adriana Stefani Kuruni 2017 me deshiren e plote te autorit Kostika Zdruli.
Attachments:
I riu me i ri,
I bukuri me i bukur,
I shendoshi me i shendoshe,
behet kur viziton Dardhen.
Last Edit: 2 months 1 week ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.194 seconds